Kurti: Nuk kemi përdorur raportin për Liqenin e Ujmanit, është pronë e jona

(Lajm i përditësuar)
Kuvendi miraton dy projektligje
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për pyjet dhe Projektligjin për sigurinë e përgjithshme të produkteve.
Pro këtyre projektligje votuan 61 deputetë të mazhorancës, ndërkaq, deputetët nga opozita u përmbajtën nga votimi.
Seanca e kuvendit të Kosovës po vazhdon me pikat të tjera që janë në rend të ditës.
Kurti: Nuk kemi përdorur raportin për Liqenin e Ujmanit, është pronë e jona 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se arsyeja pse nuk e kanë përdorur raportin final për fizibilitetin për Liqenin e Ujmanit të përgatitur nga Departamenti Amerikan për Energji, është se nuk kanë çka flasin për pronën e Kosovës me Serbinë.
Derisa iu përgjigjur pyetjes së deputetit të LDK-së, Driton Selmanaj, Kurti kritikoi ish-kryeministrin Avdullah Hoti që ka përfshirë Liqenin e Ujmanit në njërën ndër pikat e marrëveshjes së Uashingtonit, e arritur tri vite më parë.
“Raporti në tërësi flet për Ujmanin në kontekst të Kosovës dhe shfrytëzimin e tij në kontekst të Kosovës, jo për përdorim të përbashkët. Pjesa më e madhe e raportit, tre nga katër pikat përmban pika për veprime teknike, inzhinerike në kuadër të sistemit të Ibër Lepencit. Raporti e ka korrigjuar atë që e ka bërë gabim ish kryeministri, ku ka pretenduar dhe deklarohej publikisht se Ujmani mund të shfrytëzohet bashkë me Serbinë. Raporti askund nuk e përmend një pasaktësi të tillë. Siç e thotë edhe parashtruesi i pyetjes retorike, mbrojtësi më i madh i sovranitetit tonë, e ka kuptuar më mirë se sa e pasaktë dhe pamundur ka qenë ai pretendim për shfrytëzim të përbashkët. Serbia është thirrur në atë marrëveshje, por jo në atë raport. Me pas qenë i mirë ai raport i mirë për Serbinë padyshim se e kishte përdorur Serbia. Ne nuk e kemi përdorur se në vazhdimësi kemi qenë në të drejtën tonë dhe kemi theksuar dhe insistuar se nuk kemi çka flasim për pronën tonë”, tha ai.
Deputeti Selmanaj këshilloi kryeministrin Kurti që raportet e ShBA-së, të merr seriozisht.
“Raportet e ShBA-së, qasjen e tyre, aleatit tonë strategjik merre shumë seriozisht, shumë seriozisht. Ke me ardh në Kuvend këtu me na fol sa i mirë është. Unë po iu këshilloj merre seriozisht”, tha ai.
Ndërkaq, Kurti tha se sjellja e kësaj temë në opinion publik nuk i shkon përshtati Kosovës. Ai tha se është e dëmshme ajo çka ka nënshkruar Hoti në Uashington, pasi e hap si temë çështjen e Ujamnit dhe shfrytëzimin e përbashkët të një aseti të Kosovës. Mirëpo sipas tij, kjo ide nuk është marrë seriozisht dhe nuk shtyhet përpara nga askush.
“Është indikativë që ju si deputet opozitar pa nevojë sillni këtë temë që nuk i shkon përshtati Kosovës, mbase edhe për shkak se subjekti juaj e ka nënshkruar atë marrëveshje që e hap çështjen e Ujamnit si temë, shfrytëzimin e përbashkët të një aseti të Kosovës, por për fat të mirë kjo ide nuk është marrë seriozisht dhe nuk është shtyrë përpara nga askush”, tha ai.
Kosova dhe Serbia më 4 shtator të vitit 2020, kanë nënshkruar një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve ekonomike në Uashington të ShBA-së. Ndër pikat e dakorduara ishte edhe që të dyja palët do të pajtohen të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë dhe subjektet e tjera të Qeverisë amerikane në një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.

Musliu: Në Kosovë s’ka femicid ka dhunë ndaj grave e cila duhet të trajtohet me ligje e norma
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu i ka reaguar deputetes së LVV-së, Arjeta Fejza e cila tha se në Kosovë ka femicid.

Musliu ka pyetur se kujt po i konvenon ta bëjë shoqërinë tonë femicide.Ajo ka thënë se duhet kuptuar që në shoqërinë tonë nuk ka femicid.

“Ne nuk jemi shoqëri femicide. Në Kosovë nuk ka femicid, ka dhunë ndaj grave e cila duhet të trajtohet me ligje e norma”, ka thënë ajo.
Deputetja Arjeta Fejza ka thënë se nëse e analizohet femicidi ka të bëjë me vrasjen ndaj grave.
“Ka diskutime të ndryshme e tendenca për ta relativizuar një dukuri ku në Kosovë janë vrarë 66 gra dhe të themi se nuk vriten vetëm pse janë gra besoj që kjo është e papranueshme. S’do mend se në Kosovë

 
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk do të donte që në këtë foltore të ketë një deputete që ka një qasje të tillë për këtë çështje.
“Kriminelët iu dëgjojnë dhe inkurajohen nga fjalimet e tilla. Deputete kemi 66 gra që janë vra nga burrat e tyre vetëm pse janë gra. Pres dhe të ftoj t’i bashkohesh angazhimit tonë kundër dhunës në familje. Mendësia jote shfaq mendësinë e qeverisjes së PDK-së sepse asnjë veprim nuk e keni ndërmarrë asnjëherë për ta adresuar dhunën ndaj grave”, ka thënë ajo.

​“Nuk jam deputete e mëditjeve”, Konjufca – Reshitajt: E keni tepruar
Deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj ka deklaruar se nuk është deputete e mëditjeve dhe rrogës së Kuvendit të Kosovës, pas kërkesës së djeshme të kryeparlamentarit Glauk Konjufca që asaj t’i hiqet mëditja.
Ajo deklaratën e kryetrarit Konjufca e konsideroi si aspak të hijshme.
“Dje emri im u lakua në shumë media dhe portale nga një deklaratë emocionale dhe aspak e hijshme publike nga ana e kryesuesit të Kuvendit duke e mbyllur seancën me një të pavërtetë të thënë fillimisht që unë paskam qëndruar vetëm disa sekonda në Kuvend. Gjithashtu z.Konjufca për disa deputetë të opozitës që qëndruan aq sa unë ose më pak kohë në Kuvend , sikur nuk i paskan penguar ose gjithë mllefin që kishte nga pamundësia për ta koordinuar dhe bërë funksionale seancën vendosi ta derdhte mbi emrin tim dhe mua. Dhe pikërisht në ditën më të veçantë të grave i nderuar Konjufca unë jam deputete në mandatin e dytë dhe unë vendos politikisht për vendimet se a të qëndroj dhe kur të qëndroj në seancë. Kur kam qëndruar dikur kur minutat kanë qenë aq të rëndësishëm nuk iu ka penguar, as kur kam vendosur për votimin e disa projektligjeve dhe vendimeve që kanë qenë emergjente për qytetarët. Nuk e kuptoj këtë instalim të lidhshmërisë mes prezencës së deputetit në seancë dhe mëditjes. Për mendimin tim këtu ka një defekt, anaomali, sepse prezenca e deputetit duhet të dokumentohet”, tha Reshitaj.
Reshitaj tha se nuk është deputete e mëditjeve e as rrogës së Kuvendit.
“Nuk jam unë deputetja e mëditjeve zotëri kryesues as për mëditje as për rrogë në këtë Kuvend besoj e dini profesionin tim dhe investimin tim 17 vjeçar për të pas një rrogë shumë fish më të madhe sesa që e madh në këtë Kuvend, jam ktëu për popullin, qytetarët për ata që më kanë votuar dhe besua. Dhe nuk ka të drejtë të më ofendosh publikisht”, tha ajo.
E kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se zakonisht rrallë bënë qortime publike, porse ato i bënë vetëm kur teprohet, siç bëri dje deputetja Reshitaj.
“Ju më njihni mirë dhe e dini shumë mirë që unë shumë rrallë bëjë qortime publike të deputetëve, por ato i bëjë zakonisht vetëm kur ia teprojnë siç bëtë ju dje”, tha ai.
Kujtojmë se dje kryeparlamentari Konjufca kërkoi nga administrata e Kuvendit që deputetes Albena Reshitaj t’i hiqet mëditja duke thënë se ajo qëndroi në seancë vetëm 10 sekonda.
Vitia: Ka kaluar koha kur deputetët vijnë në MSh për t’u shkelur ligji
Në seancën e Kuvendit të Kosovës, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Besnik Tahiri, ka thënë se nëse Qeveria nuk reflekton sa i përket zhvillimit ekonomik dhe kryeministri e ministrat flasin vetëm rreth politikës, atëherë, ky do të jetë vit i kapitullimit ekonomik.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës ka rënë në kurthin e diskutimit politik dhe dialogut dhe në neglizhencën totale të jetës, të ekonomisë, të mirëqenies dhe të jetës sociale.

“Shumë politikë, pak ekonomi. Pak jetë e shumë politikë. Është e papranueshme që i gjithë diskursi politik dhe vendimet në Qeveri të lidhen me politikën e larta dhe asnjë veprim serioz të mos jetë në dobi të qytetarëve. Është e pakuptimtë që politika dhe temat e larta të kthehen në qëllim në vete të Qeverisë”, ka theksuar Tahiri.
Sipas tij inflacioni në gjithë botën ka rënë e në Kosovës është rritur.
“Kjo vjen si rrjedhojë e neglizhencës totale dhe injorimit të ekonomisë dhe politikave që e injorojnë shtetin në këtë aspekt … Njerëzit që janë në punë janë bërë njësoj raste sociale për shkak që nuk ka as ngritje të pagave e as një veprim a subvencionim që e forcon ekonominë”, ka theksuar Tahiri.
Ai ka folur edhe për tri lajme që ka thënë se janë dëshpëruese.
“E para ka të bëjë me paralajmërimin e rritjes se rrymës për 14 për qind. E dyta ka të bëjë me tatimit në pronë dhe e treta lidhet me sektorin publik dhe më Ligjin e pagave, 10 mijë njerëz janë gëzuar e 70 mijë të tjerë janë të dëshpëruar”, është shprehur Tahiri.

Plotësohet rendi i ditës me projektligjin anti-doping
Rendi i ditës së seancës së sotme është plotësuar edhe me një pikë. Ajo ka të bëjë me shqyrtimin e projektligjit për anti-doping.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola propozoi si mocion procedural që ky projektligj të përfshihet si pikë e 8 e rendit të ditës së kësaj seance.
Ky mocion u miratua me 67 vota derisa në sallë ishin 74 deputetë
Nis seanca e Kuvendit të Kosovës
Nis seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku përveç deklarimit jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare janë paraparë edhe një sërë projektligjesh.
Gjatë kësaj seance parashihet shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Pyjet, pastaj shqyrtimi i dytë i Projektligjit për sigurinë e përgjithshme të produkteve, shqyrtimi i parë i Projektligjit për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,
Po ashtu, në këtë seancë do të pritet të bëhet edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për minierat dhe mineralet, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin, shqyrtimi i Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2021,shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit “Sistemi i licencimit të hidrocentraleve dhe monitorimi i tyre mbi ndikimin në mjedis dhe ujëra”, shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit “Performanca financiare dhe operative NP “Trepça Sh.A”.
Në këtë seancë po ashtu është planifikuar edhe emërimi i drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës si dhe shqyrtimi i Projekt-Deklaratës në mbështetje të Fondit Kosovaro-Amerikan për Arsim (KAEF).

Back to top button