Ka filluar shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarve Driton Gashi, Valon Krasniqi dhe Rrahman Sylejmani, të cilët prokuroria i akuzon për deportimin e kundërligjshëm të gjashtë shtetasve turq në mars të vitit 2018.

Prokuroria pretendon se të pandehurit Gashi, Krasniqi dhe Sylejmani dyshohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Driton Gashi, në atë kohë ishte shef i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Valoni Krasniqi zyrtar në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Rrahman Sylejmani zyrtar policor.

Në mëngjesin e 29 marsit 2018, u arrestuan e më pas u deportuan për në Turqi, Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Jusuf Karabina.

Arrestimi i gjashtë shtetasve turq u bë nga institucionet e Kosovës, ndërsa operacioni për deportimin e tyre, nga ekspertët e fushës, u vlerësua se u përcoll me një “mal shkeljesh ligjore”.

Vetëm pasi që Hasan Hysein Gunakan u deportua në Turqi, u kuptua se kishte ndodhur një gabim dhe se i njëjti ishte dëbuar gabimisht në vend të Hasan Hysein Demir.

Përkundër kësaj, më 28 janar të vitit 2020, sipas raportimeve të mediave turke, Gunakan u dënua me mbi 8 vite burgim nga Gjykata në Stamboll.

Gashtë shtetasit turq janë të akuzuar për lidhje e tyre me Fetullah Gylen, njeriun për të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, thotë se qëndron pas grusht shtetit të dështuar në Turqi të vitit 2016.

Arsyetimi i AKI-së, në lidhje me dëbimin e gjashtë shtetasve turq, ishte se ata paraqesin ‘rrezik për sigurinë kombëtare’.

Madje për këtë rast ishte raportuar edhe nga një grup punues i Organizatës së Kombeve të Bashkuara të cilët deportimin e shtetasve turq e kishin konsideruar me shkelje flagrante e të drejtave të njeriut./kallxo.com