Shahini me videomesazh

Shahini me videomesazh

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Besa Shahini u ka uruar suksese të gjithë studentëve që nisin sot vitin e ri akademik.

Me anë të një videomesazhi, ministrja Shahini ka thënë se, do vazhdohet me përmbushjen e premtimeve për studentët në kuadër të Paktit për Universitetin.

“Të dashur studentë sot fillon viti i ri akademik dhe ne kemi kaluar të gjithë muajt e verës për të vijuar me realizimin e Paktit për Universitetin”, është shprehur Shahini.

Ministrja ka theksuar, “do vazhdojmë me politikën e përgjysmimit të tarifave për të gjithë studentët e ciklit të parë dhe të integruar. Do vijojmë me dhënien e bursave për studentët ekselentë dhe kategoritë në nevojë. Kemi investuar në konviktet në të gjithë Shqipërinë”.

Ajo ka ftuar studentët të përdorin bibliotekën dixhitale, ku mund të gjejnë miliona artikuj shkencorë dhe libra akademikë.

“Mos harroni ta përdorni bibliotekën dixhitale që ka miliona artikuj shkencorë dhe libra akademikë për të realizuar studimet tuaja”, është shprehur Shahini.

Ajo ka ftuar studentët që të shkruajnë në adresat e ministrisë, në e-maile etj.

“Ta mbajmë komunikimin hapur. T’i mbledhim të gjitha energjitë bashkë që ta çojmë përpara realizimin e Paktit për Universitetin dhe të përmirësojmë cilësinë e Arsimit të Lartë në Shqipëri Ju uroj një vit të suksesshëm akademik dhe mirëpres takimin me ju”, ka përfunduar ministrja Shahini.