Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka nisur grumbullimin e informatave rreth hyrjes së vaksinave kundër sëmundjes COVID-19 në komunat veriore të Kosovës, ka konfirmuar prokurori kryesor në Mitrovicë, Shyqri Syla.

Ai ka thënë se, fillimisht, janë duke u zhvilluar hetimet dhe mbledhja e informacioneve, për të konstatuar nëse produktet farmaceutike kanë hyrë nga Serbia në Kosovë, përmes rrugëve joligjore ose jo.

“Po hetohet fillimisht hyrja e tyre, sepse nuk mund të themi asgjë pa e ditur se si kanë hyrë, si dhe kush janë personat që i kanë sjellë ato”, ka thënë Syla.

Ai ka shtuar se mundësitë për hyrjen e vaksinave nga Serbia në Kosovë, përmes rrugëve joligjore, janë të shumta.

“Nëse ne kemi prova se vërtet ato janë kontrabanduar – sepse duhet të ketë një autorizim për përdorimin e këtyre vaksinave – dhe nëse ato janë të kundërligjshme, do të nisin procedurat penale kundër atyre personave që i kanë bërë këto punë. Hetimet penale do të nisin pas grumbullimit të hetimeve dhe, varësisht prej të gjeturave, do të fillojnë hetimet penale kundër personave që i kanë kontrabanduar”, ka thënë prokurori Syla.

Më 25 dhjetor, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se në veri të Kosovës ka filluar vaksinimi kundër koronavirusit, me vaksinën e kompanive Pfizer/BioNTech, e cila ka arritur në Serbi para disa ditësh.

Më 26 dhjetor, përmes një deklarate për media, Qeveria në detyrë e Kosovës ka thënë se institucionet e Kosovës nuk kanë pasur asnjë komunikim zyrtar me institucionet e Serbisë në lidhje me këtë çështje, as përmes Zyrave Ndërlidhëse, as me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare./rel