Galeria Nacionale po bëhet gati për të nisur me punë. Pas 4 muajve pauzë do të mirëpresë vizitorët e parë. Kjo pasi Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi protokoll për mënyrën e punës së institucioneve kulturore siç janë galeritë, muzetë dhe bibliotekat për mbrojtje nga Covid-19.

“Në protokolloin qeveritar qëndron se në 100 m2 maksimum duhet të ketë 15 vizitorë që sipas protokollit tonë të brendshëm vlerësojmë se është numër shumë i lartë sepse nëse në hapësirat e mëdha të Galerisë që kanë mbi 2000 m2 pranojmë qytetarë sipas atij standardi, në objektin tonë do të grumbulloheshin më se paku 200-300 persona, që është numër shumë i lartë për ne. kështu që ne me protokoll të brendshëm zbatojmë praktikën që të hyjnë maksimum 5 persona në të njëjtën kohë”, u shpreh Ana Frangovska, Galeria Nacionale.

Protokolli i Qeverisë parasheh që hapësirat të dezinfektohen 4-5 herë brenda ditës, por në Galerinë Nacionale për shkak të ekzpozitave, të cilat mund të dëmtohen nga përbërja e dezinfektuesit një gjë e tillë nuk mund të realizohet në tërësi. Nga kjo galeri apelojnë që qytetarët të mos prekin ekspozitat. Çdo qytetar që viziton objektin në hyrje do t’i matet edhe temperature trupore.

Nga ana tjetër Qendra Informuese Kulturore nuk i ka ndalur aktivitetet, edhe kjo qendër punon sipas masave preventive kundër Covid-19.

“Qik-u vazhdon me organizime me projekte që kanë të bëjnë me më pak puiblik. Normal me distancë dhe maskë edhe publiku por edhe autorët që promovojnë libra. Promovimi i librave mbahet jashtë meqë edhe koha është e mirë, në parkun e qik, kurse ekspozitat hapen dhe për momentin janë të hapura”, theksoi Sermine Purrini, drejtoreshë e QIK.

Nga QIK taonë se nuk dihet kur do të nisin të realizohen ngjarjet më të mëdha kulturore siç janë “Tingujt e Çarshisë”,  “Këngët e Arta”, “Talentet e Rinj” dhe evente tjera. Nuk dihet se kur do të bëhet hapja e teatrove dhe institucioneve tjera kulturore që përfshihen në fazën e dytë.

Ndryshe, sonte nis festivali “Vera e Shkupit” në Suli Han të Çarshisë së Vjetër me numër të reduktuar të publikut dhe sipas protokolleve për mbrojtje nga Covid-19, raporton TV21./21Media