Lumi Silnica brenda dy vitesh pritet të marrë një pamje krejt tjetër, pasi do të shndërrohet në një zonë atraksioni për të gjithë qytetarët e qytetit të Vushtrrisë. Për këtë qëllim, komuna e Vushtrrisë ka nisur sot punimet për rregullimin e lumit, projekt ky i cili po konsiderohet të jetë më i rëndësishmi në këtë qytet.

Kryetari i komunës, Xhafer Tahiri, tha se ky është projekt që do të ndryshojë tërësisht dukjen e qytetit të vjetër të Vushtrrisë, e që pas përfundimit pritet të mbledhë shumë vushtrrias e qytetarë nga pjesë të ndryshme të vendit.

Ai bëri të ditur se ky projekt arrinë vlerën prej 1.1 milion euro dhe është bashkëfinancim i komunës dhe Ministrisë së Ambientit.

“Është një prej projekteve më të rëndësishme zhvillimore të Vushtrrisë, dhe një prej projekteve që e ndryshon komplet faqen e dukjes së qytetit të vjetër të Vushtrrisë, një projekt në vlerë prej 1.1 milionë euro, që bashkëfinancohet nga komuna e Vushtrrisë dhe Ministria e Ambientit. Do të rregullohet komplet shtrati i lumit Silnica, nga lumi Tërstena deri tek lumi Podrança, po ashtu do të kemi staza të ecjes, gjelbërim, kamera të sigurisë, dhe ndriçim, në mënyrë që të mos dëmtohet”, tha ai.

Duke uruar qytetarët e Vushtrrisë për fillimin e këtij projekti, Tahiri tha se si i tillë, projekti pritet të përfundojë brenda dy viteve.

“Ky projekt do të përfundoj brenda dy vitesh, nga sot që kane filluar punimet… Dhe, jam shumë i bindur që me kohë do t’i përfundojmë në mënyrë cilësore punimet edhe do të kemi një prej ambienteve më të mira në qytetin e Vushtrrisë, pikërisht përgjatë lumit Silnica”, tha ai.

Me rregullimin e shtratit të lumit Silnica do të ndërtohen edhe shëtitoret përgjatë lumit, të cilat siç tha kryetari i komunës Xhafer Tahiri, do të shfrytëzohen nga qytetarët dhe do të shpërbejnë edhe për aktivitete të ndryshme sportive, si për ping-pong dhe shah.