Nisma Socialdemokrate është e gatshme që t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së kryeministrit Avdullah Hoti, për një takim me subjektet tjera politike. Madje, u shprehën të gatshëm në këtë takim të diskutojnë edhe për çështjen e presidentit apo mbajtjen e zgjedhjeve, në rast se kjo do të jetë pikë e rendit të ditës.

Anëtari i kryesisë së Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka deklaruar se gjithmonë do të jenë në tavolinë ku bisedohet për fatin e Kosovës.

“Nisma nuk ka refuzuar asnjëherë asnjë tavolinë, gjithmonë do të jemi aty ku bisedohet për fatin e vendit, pa marrë parasysh pikave të rendit të ditës. Në këtë rast vazhdimësia e qeverisë përmes zgjedhjes së një presidenti apo vendimi i përbashkët se mazhoranca dhe opozita nuk duan të zgjedhin një president dhe duan të shkojnë në zgjedhje. Kjo duhet të jetë çështje e tavolinës që duhet ta bëjnë forcat politike. Por, sot dua të përqendrohem vetëm te kjo, pjesa e tjetër nga e hëna e më tej”, u shpreh ai.

Koalicioni qeverisës i Kosovës do të takohet, brenda disa ditëve, për të përcaktuar vijimësinë ose ndërprerjen e bashkëpunimit. Kryeministri Avdullah Hoti, ditëve të fundit ka deklaruar se subjektet politike parlamentare do të diskutojnë lidhur me çështjen e presidentit të ri, pas dorëheqjes së Hashim Thaçit si shkak i konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale. Shefi i qeverisë paralajmëroi se pa një dakordësi për këtë temë, alternativë mbetet mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme.