Nisma Socialdemokrate po e konsideron të panevojshme bastisjen e sotme të EULEX-it në shtëpinë e ish-zëdhënësit të UÇK-së, njëherësh ish- kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Sekretari i Përgjithshëm i Nismës, Bilall Sherifi përmes një konferencë të jashtëzakonshme për medie, u bëri thirrje institucioneve kryesore të vendit që të jenë të gatshme për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së. Ai tha se UÇK-ja po atakohet përmes Gjykatës Speciale, e jo individët.

“Bastisja është duke u bërë nga Dhomat e Prokurorisë së Specializuar. Kjo që kemi parë sot ka qenë e panevojshme. Jakup Krasniqi gjithë jetën e tij ia ka kushtuar drejtësisë. Këto skena që po i shohim janë të panevojshme dhe traumatike. Ne jemi të bindur se askush dhe asgjë nuk mund të njollosë jetën e zotëri Krasniqit, pasi lufta e UÇK ka qenë akti më i lartë i Kosovës”, tha ai.

Sherifi tutje tha se ka mjaftuar një ftesë për Jakup Krasniqin dhe ai do t’i paraqitej drejtësisë./21Media