Nisma Socialdemokrate ka reaguar për “avullimin” e më shumë se dy milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

Nisma Socialdemokrate e ka dënuar vjedhjen e dy milionëve eurove nga Thesari i Shtetit, duke theksuar, se Nisma Socialdemokrate jo vetëm që distancohet, por është e pakompromis në luftën kundër krimit ndaj kujtdo qoftë që zgjedh të përfshihet në veprime të tilla kriminale, pa dallime, qoftë votues apo anëtar.

Po ashtu në reagim thuhet se tendencat për të njollosur partinë politike përmes veprimeve kriminale të individëve është e papërgjegjshëm e që nuk ka për qëllim luftën kundër krimit, por dëmtimin e një subjekti politik.

“Edhe njëhërë i bëjmë thirrje organeve të drejtësisë që të angazhohen me vendosmëri të madhe dhe sa më shpejt që është e mundur t’i vënë para drejtësisë të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe kryerjen e këtij krimi të rëndë financiar”, thuhet në reagimin e NISMA-s.

Mbrëmë, zëvendëskryeministrja Albulena Balaj-Halimaj ka bërë të ditur se ka liruar nga detyra këshilltaren e saj, Hajrie Gashi pas dyshimeve se babai i saj është i lidhur me vjedhjen e 2 milionë eurove nga Thesari i shtetit.

Një punëtor i Thesarit të Kosovës, me inicialet L.G, dyshohet se ka bërë transferimin e mbi 2 milionë eurove përmes katër transaksioneve të ndryshme, në llogari të kompanisë, LDA Group Shpk (shoqëri me përgjegjësi të kufizuar), me bazë në Llapushnik, fshat në Komunën e Gllogocit, 30 kilometra larg Prishtinës.

Policia ka njoftuar zyrtarisht se të martën në mbrëmje, pas hetimeve të zhvilluara, është arritur të arrestohet një i dyshuar derisa dy të tjerë gjenden në arrati./21Media