Një nismë e Partisë Socialiste në Shqipëri për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, pritet të thellojë krizën politike në Shqipëri. Meta po akuzohet nga socialistët se nuk ka përmbushur detyrën e tij kushtetuese për garantimin e unitetit kombëtar para zgjedhjeve, duke anuar kah opozita.

Të njëjtit, në një seancë të jashtëzakonshme, e cila do të mbahet më 9 qershor pritet të miratojnë apo hedhin poshtë një raport të Komisionit Hetimor, i cili ka identifikuar shkeljen e 16 neneve të Kushtetutës nga Meta në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit.

Në lidhje me zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, Kp ka realizuar një intervistë me drejtorin e Institutit të Studimeve Politike në Tiranë, Afrim Krasniqi, i cili po e cilëson si tërësisht politike luftën në mes Metës dhe socialistëve.

Teksa sqaroi procedurat që do të ndiqen deri në verdiktin final të kësaj çështje, Krasniqi tha se nisma si e tillë ka për qëllim defaktorizimin e institucionit të presidentit.

“Parlamenti aktual i ka votat për ta shkarkuar presidentin, sepse ajo që quhet opozitë në Parlament, praktikisht është votuese për Partinë Socialiste dhe një numër i madh i tyre kanë konkurruar në zgjedhje për Partinë Socialiste dhe disa madje janë rizgjedhur. Si e tillë, nuk është çështja e Parlamentit, por është çështja e praktikës kushtetuese dhe për shkak se Kushtetuta e Shqipërisë parashikon që pas vendimit të Parlamentit, i gjithë relacioni, përfshirë edhe vendimin e Parlamentit, shkojnë në Gjykatën Kushtetuese dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të merret me pesë vota, nga shtatë anëtarë aktual në Gjykatën Kushtetuese, gjë që është shumë e vështirë të ndodhë. Edhe nëse ka një vendimmarrje të tillë, procedura është shumë e gjatë dhe Gjykatës Kushtetuese do t’i duhet shumë kohë për ta trajtuar si rast. Si e tillë, ne vlerësojmë se akti i mazhorancës është më shumë politik dhe deklarim publik për të defaktorizuar institucionin e presidentit, sesa një akt që do të ketë pasojë shkarkimin real të presidentit”, u shpreh Krasniqi.

Njohësi i çështjeve politike në Shqipëri tha se Meta ka humbur kredencialet e presidentit dhe se një gjë e tillë është shfrytëzuar nga ligjvënësit socialistë, të cilët këtë herë duket se kanë konsensus kritik me faktorin ndërkombëtar ndaj rolit të presidentit të Shqipërisë.

“Janë dy arsye dhe te dyja janë arsye politike dhe personale mes liderëve politike. Së pari, Partia Socialiste u konfirmua në mandatin e tretë dhe ajo nuk ka nevojë për mbështetje të partive aleate, përfshirë edhe LSI-në e cila ka qenë aleate në mandatin e parë. Dhe i ka votat edhe për zgjedhjen e presidentit në vitin e ardhshëm dhe si e tillë dëshiron t’i eliminojë akterët e tjerë politikë në mënyrë që skena politike të mbetet bipolare mes Partisë Socaliste dhe Partisë Demokratike. Së dyti, ka të bëjë me vetë sjelljen e presidentit të Republikës. Zoti Meta në kostumin e tij si president ka treguar një sjellje që nuk i shkon standardit të presidentit dhe ka një shumicë të dukshme në Shqipëri që mendon se presidenti është sjellur më shumë si partiak, sesa si president. Por kjo në Kushtetutën e Shqipërisë dhe sistemin politik nuk përbën shkelje. Janë dy gjëra të ndryshme, nëse presidenti ka shkelur ligjin dhe ka kryer krim për të cilin mund të shkarkohet dhe nëse presidenti po sillet si president. Dhe nëse Meta në rastin e parë ka të drejtë, atëherë në rastin e dytë ai nuk po sillet si president dhe si i tillë i ka humbur kredencialet presidenciale”, deklaroi Krasniqi.

Nismën e mazhorancës për shkarkimin e Metës, ai e quajti si një nga gjërat më absurde të eksperimentuara në Shqipëri.

“Është një nga gjërat më absurde që ne kemi eksperimentuar në Shqipëri me marrëveshje politike, ndërkohë që ne kemi shkarkuar parlamentin e vjetër, kemi zgjedhur Parlamentin e ri, ku rreth 60 për qind e deputetëve nuk janë rizgjedhur. Ne vazhdojmë të kemi në funksion vendimmarrës të plotë një Parlament, i cili praktikisht nuk është vullnet i qytetarëve dhe nuk është vullnet i qytetarëve as në zgjedhjet e kaluara parlamentare të vitit 2017, por është i rrethanave specifike që lidhen me largimin e opozitës nga Parlamenti. Si i tillë, ky parlament nuk e ka legjitimitetin e duhur, moral dhe politik për të marrë vendime të rëndësishme, siç ishte ky i Kushtetutës vitin e kaluar, apo shkarkimi i presidentit të Republikës, apo zgjedhja e Gjykatës Kushtetuese, apo vendimet tjera që kërkojnë një legjitimitet të plotë”, tha ai.

Në fund të intervistës, Krasniqi ngriti si shqetësim edhe ndikimin që ky zhvillim mund të ketë në rrugën evropiane të Shqipërisë, pasi së shpejti pritet të fillojnë negociatat mes vendeve të BE-së nëse Shqipëria do të kalojë sprovën për të filluar përgatitjet për konferencën e parë ndërministrore me Bashkimin Evropian për hapjen e negociatave.

Kujtojmë se Partia Socialiste, deputetët e së cilës po udhëheqin nismën për shkarkimin e Metës, fitoi zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri, duke siguruar 74 nga 140 ulëset e Parlamentit./kp