“Mank” është filmi i ri i regjisorit David Fincher, skenarin e të cilit e ka shkruar babai i regjisorit, Jack Fincher, i cili për herë të parë dhe të fundit ka shkruar skenar, pasi që Jack tashmë ka ndërruar jetë.

“Mank” shënon rikthimin e regjisorit në kinema, pasi që ai pas “Gone Girl”, i ishte përkushtuar projekteve televizive dhe bazuar në vlerësimet e atyrë që kanë parë premieren e filmit të ri, vepra e re e Fincher është briliante. Madje kritikët dhe njohësit e filmit kanë shprehur parashikimet e tyre se do të jetë film me shumë nominime për Oscar, e me gjasë Oscar për regjinë më të mirë do të përfundoje në duart e super të talentuarit, David Fincher, por edhe aktorët Gary Oldman e Amanda Seyfried mund të laureohen me çmimin e madh, për rolet e tyre.

Në filmin që rrëfen për skenaristin Herman J. Mankiewicz, trajtohet bashkëpunimi dhe kundërthëniet që Mankievicz kishte me regjisorin Orson Welles, dy  emrat që kanë krijuar filmin që vlerësohet si më i miri i të gjitha kohërave: “Qytetari Kejn”, i shfaqur në vitin 1941.