Komisioni për Legjislacion miraton në parim dy projektligje

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit sot miratoi në parim Projektligjin për Agjencinë për parandalimin e korrupsionit dhe Projektligjin për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj. Dy projektligjet u mbështetën nga pozita dhe opozita, teksa u konsideruan të rëndësishme për sistemin juridik të vendit. Ndërkohë, komisioni nuk mbështeti raportin me amendamente për Projektligjin për rishikimin e buxhet.
Për t’i arsyetuar projektligjet, para komisionit raportoi zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili tha se të njëjtat kontribuojnë në përmirësimin e infrastrukturës ligjore.
Ai shtoi se me plotësim-ndryshimet në Agjencinë për parandalimin e korrupsionit, forcohet e njëjta dhe i shtohet kompetencat drejtorit të agjencisë.
“Ky projektligj ka paraparë masa që synojnë parandalimin e korrupsionit, forcimin e integritetit dhe transparencës së institucioneve të Kosovës. Gjithashtu risi në këtë projektligj është se përcaktohet që agjencia ka të drejtë për shqyrtimin e masave dhe sanksioneve lidhje me mosrespektimin e ligjit në fuqi”, tha ai.
Këtë fakt e mirëpriti, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e cila tha se e mbështesin miratimin në parim të këtij projektligji.
“Si PDK e përkrahim Projektligjin për Agjencinë për parandalimin e korrupsionit. Na inkurajon fakti që janë rritur kompetencat e drejtorit ose udhëheqësit të Agjencisë”, tha ajo.
Mëdyshje rreth këtij projektligji paraqiti deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, i cili tha se fokusi i tij është parandalimi i korrupsionit, e jo luftimin e tij.
“Çka ky projektligj ka qëllim, duket që krejt fokusi është në parandalimin e korrupsionit, e jo në luftimin e korrupsionit. Edhe në qëllim nuk e keni shti fjalën luftim i korrupsionit”, tha ai.
Duke arsyetuar edhe Projektligjin për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj, zëvendësministri Sallahu tha se përmes tij shtetasit e BE-së do të kenë të drejtë të kenë prona në Kosovë.
Sipas tij, ky është edhe në kuadër të zbatimit të MSA-së, derisa do të përdorin parimin e reciprociteti për shtetet e treta që s’janë pjesë e BE-së.
“ Ligji për investimeve të huaja kërkon që shtetasit e huaj dhe ndërmarrjet të trajtohen në mënyrë të barabartë. Kjo kërkesë përfshinë edhe të drejtën e fitimit të pronës, mirëpo Ligji për investime të huaja nuk përfshinë të gjitha rastet për shtetas të huaj. Andaj duke u bazuar në dispozitat kushtetuese të lartcekura kemi hartuar këtë ligj i cili zbaton në përpikëri dispozitat kushtetuese për këtë çështje të rëndësishme edhe për zhvillimin ekonomik të vendit[…]Shtetasit e BE-së kanë të drejtë të kenë prona sikur shtetasit e Republikës së Kosovës. Andaj ne kemi hartu një projektligj të tillë që ka për qëllim rregullimin e të drejtave pronësore të personave të huaj fizik dhe juridik”, tha ai.
Megjithatë, për këtë projektligj ngriti dyshime, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, i cili kërkoi të qartësohen mundësitë për keqpërdorime që mund të bëhen në kuadër të tij.
“Shtrohet pyetja tek prejardhja e parasë, këtu është problemi. Ne kemi raste të panumërta në Kosovë që për këto 20 vjet ka pasur investime të dyshimta që kanë ardhur me gojën plotë investime, kanë blerë dhe në fund s’ka ndodhur asgjë”, tha ai.
Ndryshe, mbledhja e këtij komisioni nisi me një minutë heshtje, në nderim të bashkatdhetarëve që humben jetën dje, si pasojë aksidentit në Kroaci.

Back to top button