Një i vrarë, dy gra të plagosura – krejt çka dihet deri më tani për rastin në Majac të Podujevës

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në fshatin Majac të Podujevë, ku një 45-vjeçar nga Obiliqi dyshohet se është vrarë nga një 31-vjeçare nga Podujeva, me të cilën dyshohet se ishte në lidhje.
Bilanci i rastit është rënduar edhe më tej, pasi të plagosura rëndë kanë mbetur e dyshuara për krimin, si dhe një 73-vjeçare, e cila dyshohet se ka lidhje familjare me dorasen.
Zejnullah Gashi, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë ka konfirmuar vrasjen e një personi.
“E konfirmoj rastin e vrasjen së një personi në Podujevë dhe se prokurorja e rastit është duke shkuar në vendngjarje”, tha Gashi, për “Betimi për Drejtësi”.
Të plagosurat janë dërguar në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK) në gjendje të rëndë shëndetësore.
Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, ka bërë të ditur se të dyja pacientet kanë plagë nga arma e zjarrit dhe ndodhen në gjendje kritike.
“Dy paciente të gjinisë femërore, njëra e lindur më 1953 dhe tjetra 31-vjeçare, janë sjellë nga Podujeva. Arsyeja e lëndimit është arma e zjarrit. Gjendja e tyre është shumë e rëndë dhe jostabile. Janë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe pacientet janë të intubuara, me frymëmarrje të asistuar. Njëra është dërguar në sallë operative, ku po trajtohet nga ekipet e Neurokirurgjisë dhe Anestezionit”, ka deklaruar Syla.
Gjendja e të plagosurave mbetet shumë e rëndë, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.