Kryeministri Avdullah Hoti, dje ka kërkuar, që sot në orën 13:00 në tërë Kosovën të mabhet një minutë heshtje për nder të viktimave të masakrës së Srebrenicës.

Ai ka theksuar se tragjedia e Srebrenicës nuk mund të harrohet asnjëherë!.

“Sot i prita përfaqësuesit e komunitetit boshnjak të Kosovës, të cilëve u printe Rasim Demiri, kryetar i koalicionit VAKAT dhe deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Takimi u mbajt në prag të 25-vjetorit të masakrës së Srebrenicës, në të cilën forcat serbe vranë 8372 civilë boshnjakë. Andaj, për t’i nderuar viktimat e kësaj tragjedie, në emër të Qeverisë së Kosovës, kërkoj që nesër, në të gjithë Kosovën, në orën 13.00, të mbahet një minutë heshtje.”, ka shkruar Hoti në facebook.

Bosnja e Hercegovina sot shënon 25 vjetorin e masakrës së Srebrenicës. Kjo masakër është më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë mbi 8 mijë burra dhe djemë myslimanë në enklavën e Srebrenicës, që ishte caktuar si “vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara./21Media