21 vjeçari nga Prishtina ka pësuar sulm në tru nga rrahja e rëndë

21 vjeçari nga Prishtina ka pësuar sulm në tru nga rrahja e rëndë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit R.A për shkak të veprave penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

Gjykata ka marrë aktvendim dhe të pandehurit R.A i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

“Gjykata ka konstatuar se masa e paraburgimit është caktuar pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehuri R.A në liri mund të ndikojë në dëshmitar por edhe në të dëmtuarin i cili akoma nuk është dëgjuar për shkak të gjendjes së tij të rëndë shëndetësore. Po ashtu Gjykata vlerëson se në rastin konkret ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, pasi që në shkresa të lëndës ka prova se kjo është hera e dyte qe i pandehuri R.A ka ushtruare ndaj të dëmtuarit L.B”, është bërë e ditur në njoftim.

Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Përndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka deklaruar se 21 vjeçari nga Prishtina ka pësuar sulm në tru nga rrahja e rëndë që ia ka bërë polici.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se e ka ndaluar për 48 orë të dyshuarin R.A., zyrtar policor, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se ka kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

Në njoftimin për media, Prokuroria Themelore ka bërë të ditur se “R.A. dyshohet se më 05 prill 2020, e ka keqpërdorë detyrën e tij zyrtare si zyrtar policor, si dhe pasi që e ka ndaluar në një pikë kontrolli të dëmtuarin, ka ushtruar dhunë fizike duke e sulmuar fizikisht atë në kokë dhe pjesë tjera të trupit, ku si pasojë i dëmtuari ka pësuar dëmtimeve serioze në kokë, lëndime k ëto nga të cilat i dëmtuari një ditë më vonë ka pësuar sulm në tru, duke humbur vetëdijen, ku edhe i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik në Klinikën e Neurologjisë në QKUK”.