Një muaj paraburgim për të dyshuarin për vrasje të rëndë të mbetur në tentativë
Gjykata Themelore në Pejë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj të dyshuarit XH.B për veprën penale, “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë” si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
“Gjyqtari i procedurës paraprake konstatoi se tani është faza e hetimeve ku duhet të vërtetohet motivi i cili tani për tani është i panjohur, më pas duhet të sigurohet raporti mjeko-ligjor lidhur me natyrën e lëndimeve trupore, mjetin dhe pasojën e shkaktuar për të dëmtuarin, kanë për tu siguruar raporte, ka për tu ftuar dhe dëgjuar i dëmtuari”, bëhet e ditur në komunikatë.
Sipas komunikatës së Prokurorisë, i dëmtuari i cili për shkaqe të rënda shëndetësore nuk ka pasur mundësi të deklarohet.
“Kanë për tu dëgjuar dëshmitaret si dhe i dyshuari, ashtu që me gjetjen e mundshme të të dyshuarit në liri ekziston rreziku se i njëjti në mënyre direkte apo indirekte mund të ndikoj tek dëshmitaret në drejtim të dhënies së dëshmive në favor të tij. Gjithashtu, duke pas parasysh peshën e veprës penale, rrethanat dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale, ku i pandehuri veprën penale e ka kryer në shtëpinë e tij ku në mënyrë dinake dhe me dashje ka tentuar ta privoj nga jeta viktimën e më pas të njëjtin ta marr dhe ta dërgoj në hapësirën në të cilin i pandehuri kishte hapur një varr me qëllim të varrosjes dhe zhdukjes së gjurmëve të krimit, më pas duke pas parasysh edhe raportet miqësore në mes të familjes së të pandehurit dhe viktimës dhe nga momenti i kryerjes së veprës penale këto raporte janë acaruar”, vazhdon komunikata.
Sipas Prokurorisë, të gjitha këto rrisin rrezikun se i dyshuari mund ta kryejë veprën e mbetur në tentiavë, apo të kryejë vepër tjetër penale./21Media