Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës një muaj paraburgim kundër të pandehurit K.Sh, për shkak të veprës penale shpëlarja e parave.

Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit, pasi që i njëjti mund të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe në këtë mënyrë do të jetë i paarritshëm për organet e drejtësisë, mund të pengon rrjedhjen e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitar dhe bashkëpjesëmarrës tjerë, andaj caktimi i paraburgimit është masë adekuate për sigurimin e pranisë së tij në procedurë penale.

K.Sh dyshohet se së bashku me të pandehurin L.G në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe autorizimit, si dhe shpëlarja e parave.

Palët kanë të drejtën e ankesës kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Në lidhje me vjedhjen e 2 milionëshit nga Thesari i Kosovës, zyrtarit të Thesarit L.G më 22 tetor iu caktua masa e paraburgimit prej një muaji për keqpërdorimin e detyrës zyrtare. Ai dyshohet se ka kryer 4 transaksione në vlerë totale prej 2,077,995.90 euro, në llogarinë bankare të kompanisë “LDA Group” SH.P.K me seli në Llapushnik.