Në Komunën e Mamushës dje rreth orës 14:30 Policia e Kosovës ka sekuestruar 375 mijë euro, bankënota nga 100 euro dhe 50 euro që dyshohet të jenë të falsifikuara, 6 telefona, si dhe ka arrestuar gjashtë persona të dyshuar.

Bëhet e ditur se paratë e falsifikuara ishin dërguar përmes postës nga Turqia.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në koordinim me Prokurorinë e Shtetit ka zbatuar masat e fshehta të hetimit dhe vëzhgimit dhe kjo pako ka qenë nën masat e vëzhgimit deri në destinacionin e caktuar.

“Më, 02.04.2021 rreth orës 14:30 sipas procedurave kjo pako është tërhequr nga posta në Mamushë nga personi për të cilin ishte destinuar, i cili ishte në shoqëri edhe të disa personave të tjerë. Më pastaj, policia ka reaguar dhe të gjithë personat qe janë ndërlidhur me ketë rast janë arrestuar ne flagrance” bëhet e ditur në Komunikatën e Policisë.

Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit nga PTH-Prizren, 5 persona të dyshuar dërgohen në mbajtje, kurse 1 lirohet në procedurë të rregullt./21Media