Një pjesë e Fushë Kosovës dhe Ferizajt nesër 12 orë pa rrymë
Shkak punimet intenzive
KEDS ka njoftuar se ka paraparë për nesër të bëhen punime intenzive si pjesë e investimeve që po bën në Fushë Kosovë dhe në Ferizaj dhe si pasojë e kësaj këto dy qytete do të mbeten pa rrymë 12 orë. Për shkak të kësaj, kjo kompani thekson se është e detyruar të bëjë shkyçen e daljes “Apollonia” të Fushë Kosovës dhe tri daljeve në Ferizaj, nesër nga ora 9:00 deri në ora 21:00.
“Në këto dalje ka një numër të madh të konsumatorëve. Por, KEDS po e bën këtë për përfitime afatgjata të konsumatorëve dhe për shkak të specifikës së punimeve nuk ka ndonjë alternativë tjetër. Komania i sigron konsumatorët që do të bëjë maksimunin që të kryhet sa më shpejtë”, arsyetohet KEDS.
KEDS ka njoftuar se është duke investuar fuqishëm në rrjetin e tensionit të mesëm si në Fushë Kosovë ashtu edhe në Ferizaj, duke përfshirë linjën 35 kilovat.
“Kjo, pasi ajo pjesë e Fushë Kosovës është zona me rritjen më të madhe në nivel vendi. Si rrjedhojë, vazhdimisht janë paraqitur mbingarkesa të cilat kanë pasur për pasojë ndërprerjet e dhunshme të energjisë elektrike. Deri tek këto mbingarkesa ka ardhur pasi kapacitetet transmetive të KOSTT-it, pra të Tensiont të Lartë janë të pamjaftueshme. Por, për shkak se kjo kompani nuk po investon, atëherë këtë është detyruar ta bëjë KEDS-i në mënyrë që të mos këtë ndërprerje të vazhdueshme apo pamundësi për furnizim me energji elektrike. Investimi është në përfundim e sipër dhe pritet të përfundohet sivjet”, thuhet tutje në njoftimin e KEDS-it.
Sa i përket Ferizajit, sipas kompanisë intervenimi është i domosdoshëm pasi gjendja e rrjetit të trashëguar në qytet ishte shumë e rëndë./21Media