Begaj iu ka bërë thirrje qytetarëve t'iu përmbahen udhëzimeve

Begaj iu ka bërë thirrje qytetarëve t’iu përmbahen udhëzimeve

Pas marrjes së informacionit për një rast të prekur me COVID-19, komuna e Malishevës njoftoi sonte se i ka marrë të gjitha masat e nevojshme për mbikëqyrjen e situatës.

Komuna përmes një komunikate njoftoi se janë bashkërenduar të gjitha aktivitetet lidhur me rastin, ku janë duke identifikuar të gjithë personat që kanë pasur kontakte me pacientin, të cilët edhe janë duke u vetizoluar, si dhe në të gjitha hyrje-daljet e komunës janë duke u vendosur patrullat policore.

Zyrtarët e IRSHP-së janë duke e trajtuar rastin dhe siç njoftohet janë duke ju dhënë udhëzimet e nevojshme të gjithë atyre personave që kanë pasur kontakt me pacientin tashmë të diagnostifikuar me COVID-19.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj iu ka bërë thirrje qytetarëve që të mos shqetësohen, por t’i zbatojnë udhëzimet e dhëna nga ana e IKSHP-së dhe Qeverisë së vendit.

“Të gjitha organet kompetente komunale, në bashkëpunim dhe në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe IKSHP-së, janë duke e menaxhuar situatën, prandaj nuk ka vend për panik, por ne të gjithë së bashku duhet t’iu përmbahemi udhëzimeve që janë duke u shfaqur në vazhdimësi në mjetet e informimit dhe rrjetet sociale.”, bëhet e ditur në komunikatë.

Deri tani në Kosovë pesë raste janë konfirmuar me koronavirus./21Media