Rreziku nga Covid-19 nuk ka kaluar ende. Në Kosovë, sikurse edhe në vendet tjera numri i rasteve sa vjen e po shtohet.

Kryeqyteti po prinë me numrin e të infektuarve duke shënuar çdo ditë, por krahas Prishtinës, edhe komunat e tjera po ballafaqohen me valën e të të infektuarve.

Vetëm në Obiliq deri më tash kanë vdekur 14 persona nga Covid-19.

Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Obiliq, Vlora Mjekiqi Kabashi, thotë se si komunë kanë menaxhuar situatën në mënyrën më të mirë të mundshme, duke u munduar që çdo moment situata të jetë nën kontroll.

“Që nga fillimi i pandemisë, komuna e Obiliqit ka menaxhuar këtë situatë në mënyrën më të mirë të mundshme falë akterëve të shumtë, duke filluar nga kryetari i komunës, Xhafer Gashi, i cili njëherësh është edhe kryetar i Shtabit Emergjent komunal, falë punëtorëve shëndetësor, të cilët janë të palodhshëm në punën e tyre, falë bashkëpunimit të mirë që kemi me banorët e komunës së Obiliqit”, thotë ajo.

Ajo bënë të ditur se deri më tash në këtë komunë ka më shumë të shëruar sesa të infektuar.

“Komuna e Obiliqit për momentin i ka… 197 të shëruar. Për fat të keq i kemi 14 të vdekur”, thotë ajo.

Ajo tregon për masat e ndërmarra deri më tash si komunë.

“Që nga fillimi komuna e Obiliqit ka siguruar mjete mbrojtëse për Covid-19, për personelin shëndetësor, por njëherësh kemi furnizuar një pjesë të popullatës me maska dhe dezinfektues. Në të gjitha shkollat për nxënësit kemi siguruar maska dhe dezinfektues dhe në 4 faza është bërë dezinfektimi i rregullt i të gjitha institucioneve komunale”, shprehet ajo.

Mjekiqi-Kabashi tregon se shkolla “Hasan Prishtina” në Milloshevë është mbyllur pasi kishte pasur të infektuar.

“Për momentin shkolla e Milloshevës ka filluar me mësim online, ku 4 mësimdhënës kanë rezultuar pozitiv dhe tash kanë filluar me planin ‘C’, pra me mësim online. Gjendja e tyre shëndetësore është e mirë, stabile, janë jashtë rrezikut për jetë”, thotë ajo.

E me menaxhimin e pandemisë në këtë komunë, ajo thotë se kanë arritur të evitojnë problemet.

“Për momentin komuna e Obiliqit nuk ka ndonjë problem karshi Covid-19 për shkak se e kemi objektin e ndarë ku i trajtojmë pacientët me Covid-19 dhe pacientët e dyshuar me Covid-19. Pra, i kemi 2 dhoma të ndara për ata të cilët kanë rezultuar pozitiv dhe për ata të cilët dyshojmë se janë të infektuar. Të gjitha shërbimet i kryejnë aty dhe rasteve të tjera ku kemi 4 ekipe shëndetësore në teren që ofrojnë ndihmë shëndetësore për të rezultuarit pozitiv. Përveç kësaj, familjet në nevojë, të rezultuara pozitiv, në vazhdimësi i furnizojmë me pako ushqimore”, thekson ajo.

Krejt në fund, drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Obiliq shpreh mirënjohje për banorët e kësaj komune, për të cilët thotë se janë duke i zbatuar të gjitha rekomandimet e dala nga Ministria e Shëndetësisë dhe janë duke respektuar të gjitha masat./kp