Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Dardania” në Prishtinë nga e hëna do të zhvillojë mësimin në distancë.

“Ju njoftoi se nga dita e hënë me datë 9.11.2020 mësim do të mbahet në distancë duke e ndjekur tv. RTK-4 sipas skemës programore”, thuhet në njoftimin e shkollës.

Gjithashtu, shkolla ka kërkuar nga nxënësit që të jenë të përgjegjshëm në ndjekjen e ligjëratave nga ana e RTK-së si dhe oraret e konsultave me mësimdhënës.

Mësimi për shkollat fillore dhe të mesme ka filluar më 14 shtator me tre skenarë. Skenari A parasheh mësim me prezencë në institucionet parashkollore dhe shkolla. Skenari B ka të bëjë me rikthimin e pjesshëm (mësimi i kombinuar – prezencë dhe mësim në distancë). Në këtë alternativë, prioritet janë klasat 1 deri 5, ku parashihet që numri maksimal në klasë të jetë 10 nxënës, orari i shkurtuar dhe mësim plotësues online. Kurse skenari C parasheh mësimin nga distanca nëpërmjet transmetimit të mësimeve të regjistruara në televizionin publik.