Sot në Klinikën Infektive në Prishtinë ka vdekur një 63- vjeçar i cili ishte i prekur me Covid-19.

Lajmin e ka bërë të ditur Komuna e Gjilanit nëpërmjet një komunikate.

Kryetari Lutfi Haziri i ka shprehur ngushëllime familjes duke e garantuar se gjithmonë do të jenë pranë tyre.

Fatkeqësisht në përballjen me pandeminë globale Covid-19, sot nga jeta është ndarë edhe qytetari i Gjilanit, i katërti në këtë pandemi, Isuf Murati. Nga njoftimi që kemi marrë prej Qendrës Klinike Infektive në Prishtinë, sot ishte një lajm i vështirë për të gjithë ne. Ngushëllojmë familjen dhe garantojmë se do të jemi pranë tyre në këto ditë të vështira, sepse nuk e kanë të lehtë ballafaqimin me këtë ndarje nga më i dashuri i tyre. Ceremonia e varrimit do të organizohet nga Komuna e Gjilanit në kushte pandemie”, ka thënë Haziri.

Ai ka apeluar te të gjithë qytetarët, bizneset dhe institucionet që në asnjë moment mos ta neglizhojnë këtë virus, pasi sipas tij, ai me vete po merr jetëra njerëzish.

Apeloj te të gjithë qytetarët ti respektojnë masat mbrojtëse sipas rekomandimeve të profesionistëve, maskat, dorezat, distanca, sepse janë baza e të jetuarit në përditshmërinë tonë. Nuk duhet shmangur këto rekomandime sepse ky virus është një kërrcënim i shëndetit publik. Mos jep shërbim dhe mos u shërbe askund, nëse nuk përdoren masat mbrojtëse. Kujdes maksimal për të gjithë kudo që jeni”, ka përfunduar Haziri.

Ndryshe, deri më tani në përballjen prej 111 ditëve me pandeminë globale Covid-19, kemi 170 qytetarë që kanë rezultuar pozitiv në Komunën e Gjilanit, prej tyre 109 janë shëruar plotësisht, 58 raste janë aktive dhe fatkeqësisht 4 qytetarë janë ndarë nga jeta./21Media