Një vajzë në qytetin e Petrinjës vdiq si pasojë e tërmetit, njoftoi kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq.

“Tani për tani, ne nuk kemi informata tjera lidhur me viktima të mundshme, por askush nuk mund të thotë këtë me siguri. Të gjithë janë atje, ushtria, shërbimet e urgjencës po vijnë nga Zagrebi, policia e mbrojtja civile. Ne duhet të gjejmë strehë alternative. Ne do të duhet të largojmë njerëzit nga Petrinja sepse atje nuk është sigurt. Na vjen keq, kjo është një tragjedi”, iu tha kryeministri Plenkoviq gazetarëve në Petrinjë.

Një tërmet i fuqishëm goditi Kroacinë. Ai është ndjerë pas orës 12:00 në kryeqytetin Zagreb, por edhe në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Serbi. Qendra Sizmiologjike Euro-mesdhetare (EMSC) ka raportuar se fuqia e tij ishte 6.4 shkallë të Rihterit.

Sipas EMSC, epiqendra ishte 46 kilometra në juglindje të Zagrebit.

Kryqi i Kuq tha se në qytetin e Petrinjës, 58 kilometra nga Zagrebi, situata është shumë serioze dhe se ekipet e Kryqit të Kuq janë në terren.

Presidenti kroat, Zoran Milanoviq tha që do të duhen fonde të mëdha për të rindërtuar qytetin e Petrinjës, ku ishte epiqendra e tërmetit të fuqishëm.

“Vitin e kaluar Durrësi, dhe ky është praktikisht një tërmet me fuqinë e njëjtë. Do të duhen shumë para. Kjo do të kalojë përmes BE-së. Nuk shqetësohem, ky qytet do të rindërtohet, por askush nuk mund të kompensojë dëmin emocional. Petrinja do të rindërtohet me para nga BE-ja “, tha Milanoviq.

EMSC tha se ky është tërmeti më i fortë që ka goditur Kroacinë këtë vit dhe se tërmetet e kësaj fuqie mund të shkaktojnë dëme të konsiderueshme pranë epiqendrës.

Ministria e Punëve të Brendshme bëri thirrje për përmbajtje dhe të respektohen masat kundër koronavirusit edhe në vendet e hapura.

Centrali bërthamor në Krsko të Sllovenisë është mbyllur si një masë paraprake, tha të martën zëdhënësja e uzinës.

“Unë mund të konfirmoj mbylljen si masë parandaluese”, i tha AFP -së, zëdhënësja Ida Novak Jerele.

Një ditë më herët (28 dhjetor) një tërmet i moderuar dridhi pjesën qendrore të Kroacisë dhe kryeqytetin e saj, Zagreb, duke shkaktuar dëme në disa ndërtesa.

Tërmeti u pasua nga një dridhje tjetër, me fuqi prej 4.9 shkallësh. Në muajin mars, një tërmet prej 5.3 shkallësh të Richterit shkaktoi dëme të konsiderueshme në Zagreb. Një person vdiq dhe së paku 27 u plagosën.