Norvegjia dhuron 100 respiratorë për FSK-në

 

Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj dhe ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë, Jens Erik Grongahl, nënshkruan Marrëveshjen e arritur ndërmjet Drejtorisë së Shëndetësisë të Mbretërisë së Norvegjisë, dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës për dhurimin e pajisjeve mjekësore, respektivisht 100 respiratorëve.

Pas aktit të nënshkrimit, ministri Mehaj dhe ambasadori Grongahl, vizituan Qendrën Mjekësore të FSK-së, ku nga drejtori i Qendrës Mjekësore, Shkëlzen Syla u njoftuan me pajisjet e dhuruara si dhe me aftësitë dhe kapacitetet aktuale profesionale, teknike dhe funksionale të Qendrës.

Në prononcimin para mediave, ambasadori tha se Mbretëria e Norvegjisë, përmes këtij donacioni synon të mbështesë Ministrinë e Mbrojtjes me pajisje mjekësore –respiratorë me qëllim të rritjes së kapaciteteve teknike dhe mjekësore të Qendrës Mjekësore të FSK-së në mënyrë që të menaxhojë sa më efektshëm situatën emergjente shëndetësore për shkak të pandemisë COVID- 19.

Ai theksoi se bashkëpunimi në mes dy vendeve dhe ministrive do të vazhdoj edhe në të ardhmen.

Nga ana e tij, ministri Mehaj tha se ky donacion është shumë i çmueshëm për sistemin shëndetësor të FSK-së.

Gjithashtu, ai tha se ky donacion është edhe tregues i fuqishëm i përkushtimit të shtetit mik norvegjez për mbështetjen ndaj nesh, të dëshmuar që nga paslufta në ndërtimin, zhvillimin dhe avancimin e vendit, si dhe për të gjitha të arriturat e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes.

Donacioni i sotëm prej 100 respiratorëve kapë vlerën rreth 1 milion euro, duke përfshirë edhe koston e trajnimit të stafit për përdorimin e këtyre pajisjeve./21Media

Back to top button