Tri dasma janë ndërprerë dhe janë marrë masa edhe ndaj pronarëve të objekteve ku janë mbajtur ato, në Gjakovë, Junik dhe Sllatinë, ndërsa në lagjen Arbëria në Prishtinë, është mbyllur një lokal nate dhe po ashtu janë marrë masa edhe ndaj pronarëve të lokalit.

Kështu ka informuar sonte ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili ka deklaruar se dasmat, mund të bëhen burim i infeksionit dhe kjo, siç u shpreh ai, është e palejueshme.

Sipas ministrit, do të ketë pasoja kushdo që bie ndesh me ligjin.

“Prioritet yni mbetet shëndeti i qytetarëve, për këtë kemi sjell rregullore të cilat e mbrojnë shëndetin e qytetarëve. Dasmat dhe çdo tubim tjetër që mund të jetë burim i virusit Covid 19, do të pengohet dhe mbyllet në pajtim me rregulloren për pengimin dhe luftimin e virusit. Ligji është shumë i qartë, duhet vetëm të zbatohet!”, ka shkruar Zemaj në facebook./21Media