Vetëvendosje përmes një rezolute po kërkon anulimin e vendimit të ZRRE-së për dhënien e licencave afatgjate 40 vjet për prodhimin e energjisë elektrike ndërmarrjes Kelkos Energy për HC “Deçani” dhe HC “Belaja”.

Krahas kësaj, kjo parti opozitare kërkoi sot nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit tërheqjen e lejeve mjedisore dhe ujore për kompaninë “Kelkos”.

Iniciuesja e interpelancës ndaj ministrit Blerim Kuçi, Mimoza Kusari-Lila në foltoren e Kuvendit paraqiti rezolutën, e cila për shkak të mungesës së kuorumit nuk u hodh në votim.

 “Propozoj rezolutën, anulimin e menjëhershëm të vendimit të ZRRE-së për dhënien e licencave afatgjate 40 vjet për prodhimin e energjisë elektrike ndërmarrjes “KELKOS ENERGY” për HC “Deçani” dhe HC “Belaja”. Po ashtu, anulimin e vendimeve të MEA-së për dhënien e lejeve mjedisore dhe ujore për këtë kompani që kanë shërbyer si bazë justifikuese të ZRRE-së. Në ndërkohë është bërë një padi, Gjykata Themelore ka marrë një vendim që të ndalet punimet. Ne nuk do të ndalemi do të vazhdojmë edhe në Gjykatën Kushtetuese për cenim të drejtës elementare në ujë, në burim në komunën e Deçanit. Por gjithashtu edhe gjitha vendet ku ka degradim”, tha ajo.