Nuk ka marrëveshje për armëpushim në Gazë

 

“Operacioni është duke vazhduar. Ende nuk ka marrëveshje armëpushimi në tavolinë“, tha ministri izraelit i mbrojtjes.

Ndërkohë, zyrtarët e Hamasit thanë se përpjekjet për armëpushim janë serioze dhe duke vazhduar, por se kërkesat e palestinezëve duhet të përmbushen.

Sulmet e reja ajrore izraelite e kanë goditur Gazën gjatë natës, ndërsa luftimet kanë hyrë në ditën e dhjetë.

Së paku dy militantë palestinezë janë vrarë në sulmet ndaj dy ndërtesave në Gazë.

Hamasi nga ana tjetër ka vazhduar sulmet raketore ndaj Izraelit, me grupin militant Hamas që ka thënë se ka goditur një bazë ajrore në jug.

Ndërkohë, disa raketa janë shkrepur edhe nga Libani në drejtim të Izraelit. Ushtria izraelite njoftoi se u është kundërpërgjigjur këtyre sulmeve raketore. Disa grupe militante operojnë në Liban, përfshirë Hezbollahun, që pat zhvilluar një luftë një muajshe me Izraelin në 2006-ën.

Përpjekjet e huaja për ndërmjetësimin e një armëpushimi mes palëve po vazhdojnë. Një zyrtar i lartë rus i ka thënë ambasadorit izrelit se çdo veprim që shkakton viktima civile në Gazë do të konsiderohet i papranueshëm, tha ministria e jashtme ruse. Gjatë javës, Rusia iu bashkua një numri vendesh dhe grupesh ndërkombëtare, përfshirë SHBA-në, BE-në dhe OKB-në, për të bërë thirrje për armëpushim mes palëve.

Dhjetëra diplomatë të huaj aktualisht ndodhen në Izrael në përpjekje për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqësore.

Së paku 219 persona, përfshirë pothuajse 100 gra dhe fëmijë janë vrarë në Gazë deri më tani, sipas ministrisë së shëndetësisë së këtij territori. Izraeli njoftoi se së paku 150 militantë janë në mesin e të vrarëve. Hamasi, nuk jep shifra të viktimave të luftëtarëve të tij./21Media

Back to top button