Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj pas vizitës së tij në Washington ka thënë se ka marrë mesazhin se nuk ka marrëveshje sekrete mes Kosovës dhe Serbisë.

Cakaj përmes një konference për medie, pas takimeve dyditore në Kosovë me krerët institucional dhe politik ka thënë se nuk do të ketë shkëmbim të territoreve mes dy shteteve fqinje në arritjen e një marrëveshjeje finale.

Diplomati shqiptar ka kërkuar që të ndalen, siç i ka quajtur ai, abuzimet me deklaratat se ShBA-ja po lobon për një marrëveshje të dëmshme për Kosovën.

“Vizita ime në Uashington ka qenë e planifikuar shumë më herët, por për shkak të pandemisë është shtyrë. Nuk ndërlidhet drejtëpërejt me Kosovën por edhe një varg çështjesh bilaterale mes Shqipërisë dhe ShBA-së. […] E para nuk ka marrëveshje sekrete dhe nuk ka nevojë te abuzohet me të, e dyta nuk ka ndarje të territorit të Kosovës. Nuk bën plane askush, e as Shqipëria në llogari personale për të ndarë Kosovën. Edhe e treta nuk ka nxitim për arritjen e një marrëveshjeje finale për Kosovën dhe Serbinë për politikë elektorale”, ka thënë ai.