Nuk ka paraburgim për ish-shefin e DSK-së Mijallkov

Mijallkov ngarkohet për tre vepra – krim të organizuar, keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe për marrje të ryshfetit

Nuk ka paraburgim as për ish shefin e DSK-së Sasho Mijallkov as për ish kryeshefin e drejtorisë së pestë pranë MPB-së, Goran Gruevski. Gjykata penale Shkup sot i shpalli vendimet e këshillave penale për lëndët Target dhe Fortesa të cilat PPS-ja ua ka dorëzuar disa orë para skadimit të afatit për ngritje të akuzave. Në propozimin e prokurorisë i cili ka të bëjë me përgjimet dhe furnizimin e pajisjeve për përgjim, Mijallkov ngarkohet për tre vepra – krim të organizuar, keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe për marrje të ryshfetit. Por gjykata e ka refuzuar kërkesën për paraburgim duke e etiketuar si të pabazë.

“Me rastin e propozimit të detyrës zyrtare u përcaktohen masë kujdesi S.M., G.G. dhe N.N. Të akuzuarit  kanë obligim që një herë në javë të paraqiten tek personi kompetent zyrtar në gjykatë, përkohësisht u merret dokumenti i udhëtimit dhe kanë ndalesë për nxjerrje të dokumentit të ri të udhëtimit”.

Ish prokurori Aleksandar Nakov për TV21 thotë se prisnin vendimet të këtilla dhe shtoi se gjykata është selektive në bazë të asaj se kush i dorëzon kërkesat për paraburgim.

“Është shumë e rëndësishme se kush e dorëzon kërkesën, në rastin konkret është PPS-ja dhe vendimet është patjetër të jenë të këtilla. Nëse këto kërkesa do të ishin dorëzuar nga ana e prokurorisë publike themelore un u garantoj se do të kishte paraburgim për shkak se I gjitëh opinioni publik e din se për çfarë bëhet fjalë, kanë prova të mjaftueshme, në fakt kanë fakte për atë që është bërë, si dhe për faktin se bëhet fjalë për krim të madh përkatësisht për një shumë të madhe të të hollave të përvetësuara”, tha Nakov.

Me këtë vendim, gjykatës i ngelet të prononcohet edhe në lidhje me kërkesat për paraburgim të ish kryeministrit dhe liderit të VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevskit, sekretarit të mëparshëm të Qeverisë, Martin Protugjer dhe Kiril Bozhinovskit, si dhe ministrave të mëparshëm për transport dhe lidhje dhe për punë të brendshme , Mile Janakievski dhe Gordana Jankullovska, të gjithë të akuzuar për lëndën Titanik për paregullsi zgjedhore. Deri më tani gjykata ka refuzuar pjesën më të madhe të kërkesave të PPS-së për paraburgim. Kështu që pa pasaporta ngelën ish ministrat Elizaveta Kancevska Milevska dhe Vladimir Peshevski, kryetari I komunës së Gazibabës Toni Trajkovski, funksionarët e BDI-së Ejup Halimi dhe Ismet Guri, redaktorin e televizionit Sitel, Dragan Pavlovic – Latas si dhe kryeshefin e MPB-së Gjoko Popovski.

Back to top button