Herët në mëngjes gjatë ditës së djeshme, në pikën kufitare Bllacë mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës u shkaktuan radhë të gjata pritjesh. Kjo për shkak se Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka lajmëruar që për të kaluar në Kosovë nevojitet testi PCR.

“Qytetarët e huaj që hyjnë në Kosovë, përfshirë edhe ata me lejeqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovë, që vijnë nga vendet me rrezik të lartë sipas listës zyrtare të ECDC-së, duhet të kenë test PCR negativ për Covid-19 të bërë në 72 orët e fundit”, informojnë nga MPB e Kosovës.

Nga Ministria e Brendshme në Maqedoni thonë se  kanë marrë informacion për testin PCR, por janë informuar se testi PCR nuk është i nevojshëm edhe për Maqedoninë e Veriut.

“Ju informojmë që gjatë mbrëmjes së djeshme në vendkalimin kufitar Bllacë kemi marrë informacione se 23.12.2020, që nga ora 05 00 për hyrje në Republikën e Kosovës, për shtetasit e Maqedonisë, është i nevojshëm PCR testi, jo më i vjetër se 72 orë, por para pak çastesh nga pika kufitare Bllacë, u informuam se qytetarët tanë do të mund të hyjnë në Kosovë pa PCR test”, informojnë nga MPB në vend.

TV21 kontaktoi ambasadorin e Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj. Ai tha se ka pasur një keqkuptim i cili është sqaruar për shkurt kohë, dhe se Maqedonia nuk është në listën e vendeve që i kërkohet PCR test./TV21