Në mungesë të kuorumit në vendimmarrje ka dështuar të miratohet rezoluta nga interpelanca me kryeministrin Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetes Saranda Bogujevci, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, për çështjen “Trajtimi i dëmshëm i temës së të pagjeturve në zotimet e 4 shtatorit, duke e kushtëzuar me personat e zhvendosur”.

Për këtë pikë të rendit të ditës kanë votuar 41 deputetë, e të gjitha votat ishin për. Këtë pikë e kanë mbështetur deputetët e PDK-së, ndërsa deputetët e LDK-së nuk kanë marrë fare pjesë në votim.

Deputetja e VV-së, Saranda Bogujevci, parashtroi 2 pikat që përfshihen në këtë rezolutë dhe kërkoi nga deputetët që të përkrahin këtë rezolutë.

“Kuvendi i Kosovës thekson se çështja e personave të pagjetur nuk mund të ndërlidhet, kushtëzohet apo të ndërvaret nga asnjë çështje tjetër. Qeveria e Kosovës duhet të insistojë në adresimin e çështjes së të pagjeturve në harmoni me standardet dhe mekanizmat ndërkombëtar. Pika 2: Kuvendi kërkon nga Qeveria e Kosovës të mos pranoj të bisedoj me cilindo zyrtar nga Serbia pa ofrimin e menjëhershëm të informacioneve për vendndodhjen e gjithë personave të cilët nuk janë gjetur gjatë luftës së fundit. Kërkoj përkrahjen e gjithë deputetëve për këtë rezolutë”, tha ajo.