Në mungesë të kuorumit nuk është mbajtur mbledhja e Komisionit për Arsim dhe kështu ka dështuar të procedohet për votim Projektligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së.

Megjithatë anëtarët janë pajtuar që mbledhja të mbahet online pasi disa prej deputetëve janë të infektuar me koronavirus.

Kryetarja e këtij komisioni, Valentina Bunjaku kërkoi që kjo mbledhje të vazhdojë online, në mënyrë që ky projektligj të procedohet sa më parë në seancë.

“Kemi shumë punë për të bërë dhe kemi mbetur mbrapa. Në tri javët e kaluara nuk kemi thirrur takim të Komisionit, meqë shumë anëtarë kanë qenë dhe janë të infektuar me Covid-19. Është Frashëri nga LDK-ja, është Eliza nga PDK-ja dhe shpërbërjen e Grupit Parlamentar të Nisma-s pasi ata nuk janë më pjesë e këtij Komisioni”, tha ajo.

Ndërsa, anëtari i këtij komisioni nga radhët e PDK-së, Sejdi Hoxha tha se Komisioni nuk duhet të bëhet pengesë që projektligji për Vlerat e Luftës së UÇK-së të mos kalojë.

“Nuk është marre me qenë me Covid-19, por të tregohet se është të arsyetohen mungesat. Është një projektligj i një rëndësi të veçantë të iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës respektivisht kolegu Gazmend Bytyqi. Pajtohem me kolegët meqë nesër ka seancë, mbledhja e komisionit të mbahet online dhe të kryhet votimi për projektligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së dhe Kuvendit t’ia adresojmë për leximin e dytë për aprovim pa vonesa”, theksoi Hoxha.

Edhe anëtarë të tjerë shprehën interesin për t’u shqyrtuar ky projektligj, pasi sipas tyre është i domosdoshëm. /kp