Sot, kur qytetarët e Shqipërisë po votojnë për të zgjedhurit e tyre për 4 vjetët e ardhshme, këtë proces nga afër po e përcjell edhe ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani.

Ai tha se votimi elektronik dhe numri elektronik i votës, që për herë të parë po e aplikon Shqipëria në këto zgjedhje është shembull i mirë për t’iu ikur abuzimeve

Hasani tha për kp se diplomatët e Kosovës janë duke e përcjellur në gjithë Shqipërinë procesin e votimit derisa uron që qytetarët sot duhet të votojnë dhe të zgjedhin njerëzit që u’a besojnë të ardhmen e tyre.

“Ne si mision diplomatik kemi dal në vëzhgim të procesit zgjedhor. Sot Shqipëria voton për Kuvendin e Shqipërisë, voton për institucionet e ardhshme katër vjeçare dhe si institucion diplomatik kemi dal në vëzhgim monitorim të sistemit zgjedhor, votuesve dhe pikërisht në këtë qendër ‘Qemal Stafa’ ku për herë të parë bëhet një votim elektronik që është shembull i mirë dhe i ik të gjitha abuzimeve që kanë qenë në të kaluarën. Prandaj urojmë qytetarët të votojnë dhe të zgjedhin njerëzit më të mirë që ata i’u besojnë të ardhmen e tyre[…] Ne i kemi përcjell diplomatët tanë nëpër të gjitha qytetet e Shqipërisë që t’i shohim se si është gjendja dhe si votohet dhe të japim një mesazh paqe, stabiliteti, uniteti dhe zgjedhjeve demokratike”, theksoi ai.

Diplomati kosovar në Shqipëri tha se modeli i numërimit elektronik të votës do të ishte një model i mirë të aplikohej edhe në Kosovë.

“Mjaft interesant për neve ndoshta do ta kishim model të mirë edhe për neve në Kosovë që të jetë një votim që do të jap mundësi pa abuzime dhe të jetë një mundësi e numërimit më të lehtë të gjithë atyre që kanë votuar dhe votojnë për kandidatët e preferuar të vetë një zgjedhje e tillë do ishte e mirë edhe tek ne”, theksoi Hasani.

Për herë të parë në Shqipëri do të jetë edhe votimi elektronik. Ky do të jetë një projekt-pilot vetëm në një zonë zgjedhore, e cila përkon me njësinë administrative nr. 10 në Tiranë. Në të gjitha zonat e tjera të votimit në vend do të zbatohet votimi dhe numërimi manual. Votuesi shqiptar do të duhet që të identikohet duke e kaluar kartën e identitetit ose pasaportën biometrike te pajisja. Kjo pamundëson edhe votimin numër të dikujt tjetër. Në momentin që shenja e gishtit nuk përputhet me kartën e identitetit, atëherë pajisja do të lëshojë edhe një sinjal akustik që do të alarmojë të gjithë komisionerët në vendvotim.