Edhe pse numri i të infektuarve nga pandemia është në rritje në tërë Kosovën, komuna e Ferizajt vazhdon të jetë një nga komunat me numër më të vogël të të prekurve me virusin Covid-19, megjithëse në fillim të pandemisë ishte një nga komunat lidere sa i përket numrit të rasteve me koronavirus.

Kryetari Agim Aliu ka thënë se pavarësisht numrit të madh të testeve, ka rezultuar që numri më i madh i tyre të jetë negative.

Megjithatë, duke e marrë parasysh rritjen e rasteve në nivel vendi, ai thotë se edhe komuna e Ferizajt mund të ballafaqohet me një numër më të madh të të infektuarve.

“Në këtë fazë kur tashmë është duke filluar faza e dytë, apo vala e dytë Covid-19, në përgjithësi ka qenë më e qetë dhe kemi pasur më pak raste karshi komunave tjera. Pavarësisht faktit që kemi pasur një numër të konsiderueshëm të testeve, me dhjetëra e qindra teste, ka rezultuar që shumica prej tyre kanë qenë negative. Pra kemi pasur dukshëm numër më të vogël të rasteve me Covid-19 edhe në këtë fazë por sigurisht që kjo nuk do të thotë që ditëve në vijim të mos kemi raste me Covid, kur kemi parasysh ngritja që është duke u bërë në mënyrë të vazhdueshme… Tashmë dihet që shifrat në rang të republikës janë në mes 200 dhe 300 dhe kjo tregon që shumë shpejt edhe ne në Ferizaj mund të ballafaqohemi me një numër më të madh të rasteve të të prekurve me Covid-19”, ka thënë Aliu.

E sa i përket rritjes së numrit të rasteve me Covid në shkolla, Aliu thotë se kjo komunë ka vetëm katër nxënës dhe dy mësimdhënës që kanë rezultuar pozitiv me këtë virus dhe se nuk ka pasur nevojë për mbyllje të tërësishme të atyre shkollave.

“Jo nuk ka pasur nevojë të mbyllen… sepse ne nuk kemi pasur raste të shumta me Covid-19, në fakt tashmë i kemi vetëm dy mësimdhënës që janë aktiv me Covid-19, dhe katër nxënës që janë pozitiv me Covid, që tregon se nuk ka pasur nevojë, dhe nuk ka nevojë, por ajo që ne kemi bërë dhe që po bëjmë vazhdimisht është apelimi i respektimit të masave dhe çdo shkollë është është e obliguar dhe janë duke i marrë të gjitha masat dhe veprimet në mënyrë që të ketë mbrojtje nga Covid-19”, thotë Aliu.

Ndërsa thotë se për mësimdhënësit dhe nxënësit që kanë rezultuar pozitiv me Covid-19, janë marrë masat e izolimit dhe se janë bërë testime ndaj personave që kanë pasur kontakt me të infektuarit dhe të gjithë kanë rezultuar negativ.

“Janë marrë masa të izolimit dhe sigurisht se priten testime për komunikimet që ata kanë pasur, por sipas rezultateve që kanë ardhur kanë rezultuar negative rastet tjera, kështu që ka bërë më të lehtë menaxhimin e situatës në këto shkolla ku kemi pasur raste me të prekur me covid-19”, ka thënë Aliu.

Kryetari Aliu shpreson që komuna e Ferizajt të vazhdojë ta ketë numrin e vogël të rasteve me Covid-19, përderisa thekson se nuk duan të kthehen në fazën kur ka pasur mbyllje shkollash ose edhe izolim të qytetit./kp