Nxënësve në Serbi po u ligjërojnë kriminelët serbë

Serbia po vazhdon të lartësojë kriminelët serbë. Shumë shkolla e rrugë po emërohen me emrat e tyre, derisa të tjerë po mbajnë edhe ligjërata para të rinjve serbë në Serbi. Të dënuarit për krime lufte në Kosovë po mbështeten nga institucionet serbe që të ushqejnë, kinse, frymën e të drejtës historike për të kryer krime mbi popujt fqinj. Një gjë të tillë, profesorë universiteti e konsiderojnë tendencë për të synuar narrativen e viteve të ’90-ta. Ata kërkojnë që bashkësia ndërkombëtare të reagojë, pa bërë kalkulime ditore.

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) në Serbi ka reaguar së fundmi për lartësimin e kriminelit Nebojsha Pavkoviq, i cili është dënuar me 22 vjet burgim për krime kundër njerëzimit. Ai ka ligjëruar në një shkollë të Novi Sadit, me temën “Tregime heronjsh”.

“Ai me 20 prill të këtij viti në një shkollë në Kaç është thirrur për një ligjëratë, ku është glorifikuar dhe cilësuar si hero. Në këtë ligjëratë është mbajtur me emrin “Koshare, me tregime të heronjve”. Në atë ligjëratë, në atë sallë të asaj shkolle ka pasur edhe shumë nxënës, të ri e të reja edhe gjithashtu ka qenë edhe kryetari i Komunës së Novi Sadit. Zyra në Serbi e ka cilësuar këtë gjest si skandaloz, sepse edhe prezenca e kryetarit të Novi Sadit është alarm për shoqërinë, pasi që ai me atë akt e ka mbështetur Nebojsha Pavkoviqin dhe prezencën e atij aty. Kjo dukuri ndodhë fatkeqësisht goxha shpesh në Serbi, për shkak se dihet që edhe Vuçiqi edhe Vulini dhe të gjithë ata persona që kanë shërbyer edhe gjatë shërbimit të Millosheviqit, kanë bindje fashiste dhe vazhdimisht mundohet me mish e me shpirt të mohojnë të gjitha krimet që kanë ndodhur jo vetëm në Kosovë, por në gjithë ballkanin edhe këtë e bëjnë më së miri duke promovuar kriminelët e luftës”, thotë Bjeshkë Guri nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR).

Përveç ligjëratave në shkolla, Pavkoviq është mbështetur nga Ministria e Punëve të Brendshme për të botuar libër me lavde për krimet që kanë kryer në Kosovë.

Një gjë e tillë nuk po ndodhë vetëm në Serbi. Komuniteti serb në Kosovë po vijon mësimet në kurrikulë të Serbisë.

“Gjendja në Kosovë nuk është aspak e mirë sa i përket edhe komunitetit serb në Kosovë, pasi që komuniteti serb në Kosovë edukohet me një kurrikulë serbe që propaganda është në thelb të asaj literature. Ne kemi shumë aktivitete që e kanë për qëllim ngritjen e bashkëpunimit dhe ngritjen e njohjes mes komunitetit shqiptar dhe serb që jetojnë në Kosovë dhe nuk janë të rralla rastet që të rinjtë dhe të rejat serb nuk e dinë se çfarë ka ndodhur edhe nuk janë të vetëdijshëm që ka pasur viktima shqiptare nga lufta e fundit në Kosovë”, shton Guri.

Helmim të fëmijëve serbë e konsideron profesori universitar, Rrahman Paçarizi, tendencën e Serbisë për lartësimin e kriminelëve të dënuar për krime në Kosovë.

“Helmimi i fëmijëve serbë me ligjërata nga Nebojsha Pavkoviqi për beteja të humbura të serbëve, si ajo e Koshares, vazhdon t’i ringjallë ato mitet serbe, qoftë për luftën e Kosovës, qoftë edhe për gjitha humbjet e tjera të cilat ata janë munduar t’i kthejnë në fitore. Me këtë vazhdojnë ta ruajnë të gjallë edhe te gjeneratat e reja frymën e një të drejte historike për të kryer krime mbi popujt fqinj”, deklaron ai.

Edhe sipas profesorit Bardh Rugova, Serbia po vazhdon me synimet dhe narrativën e njëjtë të viteve të 90-ta.

“Në një vend, i cili ka nisur aq shumë luftëra, ka nisur aq shumë probleme të vazhdueshme në të gjithë rajonin, përpiqet tash ta krijojë një rrëfim, në të cilin kjo do të jetë pozitive dhe do të jetë mirë në sytë e qytetarëve të vet. Ajo që do të bënte një vend tjetër, që do të distancohej nga veprimet e këqija të së kaluarës së vet do të ishte të hiqte dorë nga ajo narrativë, nga ato të cilat janë bërë, të kërkonte falje dhe të përpiqej që ta ribënte vetveten. Serbia nuk është duke bërë gjëra të tilla, po vazhdojnë me narrativen e njëjtë, e cila ka qenë në vitet e ’90-ta, edhe në vitit 1998 edhe 1999, e njëjta, aspak nuk ka ndryshuar”, thotë ai.

Për Rugovën është e çuditshme se si një gjë e tillë nuk po shpërfaqet në sytë e ndërkombëtarëve.

“Është e çuditshme që ne nuk po gjejmë një mënyrë që në sytë e bashkësisë ndërkombëtare të shpërfaqim dhe ta paraqesim këtë element…Nuk është një konflikt doemos mesi i dy palëve, në luftën në Rusi dhe Ukrainë, nuk i kemi dy palë fajtorë, është një palë fajtore. Kur njëra palë gjendet fajtore, mandej është përgjegjëse për veprimet e veta. Nuk mundet që t’i lavdojë aksionet të cilët i ka bërë, jetët të cilët janë marrë”, shprehet ai.

Shumë shkolla dhe rrugë janë të emërtuara me emrat e kriminelëve serbë, thotë profesori Rrahman Paçarizi.

“Tendenca në Serbi për t’i lartësuar kriminelët e luftës, për t’u vënë rrugëve e shkollave emrat e kriminelëve të luftës, tregon që kjo shoqëri nuk është vetëdijësuar ende nga krimet që i ka kryer në të gjithë ish-Jugosllavinë, e pastaj në Kosovë, por përkundrazi janë të bindur se kanë bërë punë të mira. Kjo shoqëri nuk ka arritur të çlirohet nga ideja e përgjithshme e krimit dhe gjenocidit, nga ideja e zbrazët e madhështisë serbe, duke i ruajtur ndjenjat nacionaliste, të cilat në Serbi janë ushqyer gjithmonë edhe gjatë kohës së ish-Jugosllavisë, por sidomos në kohën e thyerjeve të mëdha në mesin e viteve ’80, kur nisi të vinte në pushtet Millosheviqi, i cili pastaj i nxiti, i ngërsyer forcat e tij ushtarake, policore kundër popullatave të pambrojtura civile në vendet e ndryshme të ish-Jugosllavisë”, shton Paçarizi.

Ai konsideron se bashkësia ndërkombëtare duhet të reagojë fuqishëm pa bërë kalkulime ditore.

“Pasojat nuk mund t’ia sjell askush tjetër Serbisë, përveç bashkësisë ndërkombëtare, e cila duhet të reagojë ndaj situatave të tilla, duhet të reagojë më fuqishëm dhe të mos bëjë kalkulime ditore, sepse pasojat për rajonin nga të ushqyerit nga ndjenja të tilla nacionaliste, fashiste, kriminale, gjenocidale të Serbisë, janë të mëdha dhe këto pasoja do të përsëriten apo ka rrezik të përsëriten në të ardhmen edhe me gjakderdhje të tjera në rast se këto politika, këto praktika vazhdojnë të pandëshkueshme nga bashkësia ndërkombëtare”, vijon Paçarizi.

Së fundmi, Komisioni Evropian përmes një non-paper dërguar shteteve anëtare të Bashkimit Evropian ka theksuar se Serbia po vazhdon pa pasoja madhërimin e kriminelëve të dënuar të luftës dhe të njëjtëve është duke iu dhënë hapësirë publike dhe politike. Në këtë non-paper përfshihen përmbushjet e kritereve nga Serbia për kapituj 23 dhe 24 të negociatave për anëtarësim./kp

Back to top button