OAK kërkon mbrojtjen e bizneseve me ligj

Vazhdon të jetë shqetësim numri i lartë i vdekjeve në vendet e punës

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) organizoi sot një takim me kryeinspektorin e Inspektoriatit të punës Basri Ibrahimi, ku është diskutuar mbi zbatimin e ligjit të punës dhe sigurinë në punë.

Gjatë këtij takimi, OAK-u së bashku me disa biznesmenë parashtruan shumë ankesa në ligjin aktual dhe kërkuan që ky ligj të ndryshohet sa më shpejt, pasi draftimi i ndryshimit të tij është duke vazhduar që nga viti 2013.

Ndër ankesat që i parashtroi OAK-u janë harmonizimi i ligjit të punës me ligjin mbi inspektoratin e punës, të ketë dënime për punëtorët që lëshojnë punën jashtë kontratës, të hiqet detyrimi që biznesi të jetë përgjegjës nëse lëndohet me fajin tij, përcaktimin e afatit të ankesës për punëtorët që largohen nga biznesi ashtu siç është e rregulluar për punëtorët e institucioneve shtetërore dhe që gjykatat të inkorporojnë drejtësi dhe jo favorizime në dëme të biznesit dhe shumë probleme të tjera.

Në pjesën e debatit të hapur, bizneset kishin rastin që të zhvillojnë bashkëbisedime e të drejtojnë shqetësimet konkrete dhe padrejtësitë që u bëhen gjatë shqiptimit të gjobave, që në shumë raste ndodhin edhe kur vetë të punësuarit nuk i përfillin rregullat e punës të cilat kërkojnë që në mënyrë strikte të bartin pajisjet mbrojtëse, thuhet në komunikatë.

Në këtë takim, ishin prezente edhe disa biznese anëtare të OAK-së të cilat kishin rastin bënin pyetje direkte te kryeinspektori Ibrahimi lidhur me paqartësitë dhe çështje me interes për biznesin.

Disa çështje kryesore që u theksuan ishin rëndësia e pajisjes së të punësuarve me kontrata të punës, mbrojtja në punë, pushimet vjetore, aksidentet në vendin e punës, rëndësia e certifikimeve të punëtorëve për siguri në punë e procedurat disiplinore.

Ibrahimi tha se ndonëse gjendja e sigurisë dhe mbrojtja e shëndetit në punë është më e mirë krahasuar me vitet e kaluara, ka ende hapësirë për përmirësim. Si shqetësim, sipas tij, vazhdon të jetë numri i lartë i vdekjeve dhe lëndimeve që ndodhin në vendet e punës, si pasojë e respektimi të ligjit.

Duke e krahasuar me vitin e kaluar që vdekshmëria në vendin e punës ka qenë me 14 raste fatale, për 2018 gjendja është alarmante, këtë vit numri i të vdekurve në punë deri më tash është 5, gjë që i shtyn inspektorët të marrin më shumë masa disiplinore dhe do të shqiptohen më shumë gjoba për kompanitë që bëjnë shkelje.

“Gjatë viteve paraprake, punëtorët në sektorin e ndërtimtarisë janë cilësuar si më të rrezikuarit në vendin e punës duke funksionuar pa përdorim adekuat të mjeteve personale mbrojtëse, ndërsa këtë vit, deri më tash, gjendja është alarmante”, tha kryeinspektori.

Back to top button