Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus u bëri thirrje vendeve të ndryshme që të përmirësojnë implementimin e masave kundër pandemisë së koronavirusit, teksa epidemia po përhapet sërish nëpër botë.

Zyrtari i lartë theksoi se nga ana e saj OBSH do të mbështesë më tej masat anti-coronavirus në radhët e shteteve anëtare të saj përmes zyrave rajonale, por shtoi se vetë krerët e shteteve duhet të përforcojnë përgjigjen e tyre ndaj COVID.

“Me një lidership të fortë, strategji të qarta e gjithëpërfshirëse, komunikim të vazhdueshëm dhe me një popullsi të fortë e të motivuar nuk është kurrë vonë për ta ndryshuar situatën.Ne i bëjmë thirrje çdo lideri që të përforcojë përgjigjen, të marrë masat e duhura që mund ta pengojnë përhapjen e epidemisë dhe që sigurojnë se punonjësit e sistemit shëndetësor janë të mbrojtur”, tha Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së.

Ghebreyesus e bëri apelin e tij nga selia qendrore e OBSH-së, teksa po verifikohen rreth 2 milionë raste të reja infektimi çdo javë në rang global dhe me bilancin e vdekjeve që ka arritur mbi 1 milion viktima./21Media