Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se ka krijuar një panel për të rishikuar përgjigjen globale ndaj sëmundjes që e shkakton koronavirusi, COVID-19.

Duke folur përpara përfaqësuesve të vendeve anëtare në Gjenevë, kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se ish-ministrja e Shëndetësisë në Zelandën e Re, Helen Clark, dhe ish-presidentja e Liberisë, Ellen Johnson Sirleaf, do të bashkudhëheqin panelin shqyrtues, i cili do të quhet Paneli për Përgatitjen dhe Reagimin ndaj Pandemisë.

Tedros tha se kjo është koha “për vetëreflektim, për të parë botën ku jetojmë dhe për të gjetur mënyra për të forcuar bashkëpunimin tonë, derisa punojmë së bashku për të shpëtuar jetë dhe për ta vënë pandeminë nën kontroll”.

OBSH-ja ka qenë nën presion tash e sa kohë për të rishikuar trajtimin që i ka bërë pandemisë. Ajo është përballur me kritika, sidomos nga Shtetet e Bashkuara, se ka qenë e ngadalshme në reagim, pas shpërthimit të koronavirusit fillimisht në Kinë, dhe se ka qenë shumë e afërt me Qeverinë kineze.

Paneli i OBSH-së do të rishikojë jo vetëm reagimin e kësaj organizate, por edhe të vendeve të veçanta.

Këtë javë, SHBA-ja i njoftoi zyrtarisht Kombet e Bashkuara për synimin e saj për të lënë OBSH-në.

Koronavirusi ka prekur mbi 12 milionë njerëz në gjithë botën.

Prej tyre, mbi 550,000 kanë vdekur dhe mbi 6.6 milionë janë shëruar./REL