Organizata Botërore e Shëndetësisë ka publikuar udhëzime të reja për tubimet masive dhe organizimet në mjedis të hapur në kohën e pandemisë së koronavirusit, duke rekomanduar ndryshime të mundshme për grumbullimet e mëdha, posa ato të lejohen.

Sipas udhëzimeve të reja, mbajtja e tubimeve në mjedis të hapur dhe kufizimi i pjesëmarrësve me vetëm persona të shëndoshë do të mund të ndihmonin në pakësimin e përhapjes së virusit, transmeton rtv21.tv.

“Duke pasur parasysh se tubimet masive kanë ndërlikime politike, kulturore, sociale dhe ekonomike, autoritetet duhet ta vlerësojnë rëndësinë dhe nevojën e një organizimi dhe ta shqyrtojnë mundësinë e mbajtjes së tij, me kusht që të gjitha rreziqet shëndetësore të jenë adresuar dhe luftuar në mënyrën e duhur”, thuhet në njoftim.

Kjo organizatë u bëri thirrje autoriteteve të shëndetit publik dhe organizatorëve të tubimeve që ta vlerësojnë rrezikun para çfarëdo tubimi dhe i publikoi disa hapa që duhet të ndiqen në rast të grumbullimeve masive.

Në këta hapa përfshihen shtimi i transportit, caktimi i ulëseve sipas rregullave, përshtatja e kapacitetit të hapësirave dhe mbajtja e tubimeve në mjedis të hapur ose në mënyrë virtuale.

Këshillohet që njerëzit e rrezikuar nga sëmundjet, përfshirë personat mbi moshën 65-vjeçare ose ata që kanë pasur sëmundje më parë, të qëndrojnë larg tubimeve masive ose për ta të përgatiten hapësira të veçanta./21Media