Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës të hënën do të vendsosin nëse do të protestojnë ndaj masave të fundit të marra nga Qeveria e Kosovës. OHTK-ja sërish ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë për mbylljen e bizneseve hoteliere dhe të gastronomisë duke e cilësuar si vendim të ngutshëm dhe pa konsultime.Sipas komunikatës së odës ky vendim është marrë nga Qeveria pavarësisht se gjatë takimeve me zyrtarët e Ministrive përkatëse ishin dakorduar se për çdo masë të re do të konsultoheshim së bashku.

OHTK-ja gjithashtu e cilëson jo profesional komunikatën për media të krerëve qeveritarë ku paralajmërimi për mbyllje, u komunikua vetëm 7 orë para hyrjes në fuqi të masave të reja, që sipas tyre ka shkaktuar panik dhe frikë jo vetëm për hotelierët dhe gastronomët po edhe te të gjithë qytetarët në përgjithësi.

“Vendimet e tilla pa ndonjë analizë të terrenit, jo vetëm që po shkaktojnë frikë dhe ankth te qytetarët, por për sektorin e hotelierisë dhe gastronomisë po sjell frikë dhe pasiguri duke u cilësuar si sektori më i diskriminuar dhe më pak i ndihmuari nga Qeveria që nga marsi kur edhe u krijua situata e pandemisë nga virusi COVID 19 dhe posa po alarmohet situata të parët që po atakohen janë hotelierët dhe gastronomet”, thuhet në komunikatë.

Tutje më tej thuhet se OHTK-ja ka dorëzuar manualin e përdorimit në Qeveri, ka dhënë sugjerim që të formohet një TASK forcë e përbashkët qeveri dhe se kanë bërë reagime të shumta të cilat nuk janë marrë parasysh.