Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi dhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka janë takuar në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me drejtuesit e lartë të Korporatës Financiare Zhvillimore (DFC) të Shteteve të Bashkuara te Amerikës.

Në takim me kryeshefin operativ, Edward Burrier, këshilltarin e kryeshefit ekzekutiv të Korporatës DFC, Caleb McCarry dhe me shefin e stafit, Stewart Ackerly, drejtuesit e dy odave ekonomike biseduan për nevojat e sektorit privat në Kosovë, si dhe sektorët me potencial zhvillimor, të cilët do të mund të përfitonin nga instrumentet mbështetëse të Korporatës DFC.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Oda Amerikane, Zeka dhe Rukiqi thuhet se theksuan edhe nevojën e angazhimit më të shpejtë të qeverive në Kosovë dhe në Serbi për zbatimin e zotimeve të marrëveshjes së Uashingtonit, si dhe rolin që odat ekonomike nacionale dhe ato amerikane në Kosovë dhe në Serbi mund të luajnë në asistimin e qeverive për zbatimin e pikave të marrëveshjes.

Diskutimi, vijon komunikata, u fokusua edhe në çështjet e lidhura me energjinë dhe nevojën e rritjes së sigurimit të furnizimit në Kosovë si parakusht për zhvillim ekonomik.