I bëhet thirrje Prokurorisë së Shtetit që të hetohen këto tendere

I bëhet thirrje Prokurorisë së Shtetit që të hetohen këto tendere

Një grup prej pesë organizatave joqeveritare të rajonit të Mitrovicës kanë akuzuar Komunën e Mitrovicës lidhur me shkeljet në tenderin për projektin ‘Qendra e riciklimit industrial për mbeturinat paraprakisht të klasifikuara ose të përziera’. Ato me këtë rast i bënë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të hetojë këtë tender për të parë nëse ka elemente të veprës penale.

Gjatë një konference për media, këto pesë OJQ kanë prezantuar raportin e monitorimit të aktivitetit të prokurimit dhe kanë shpalosur gjetjet në procesin tenderues të projektit ‘Qendra e riciklimit industrial për mbeturinat paraprakisht të klasifikuara ose të përziera’, me vlerë rreth katër milionë euro.

Kenan Beqiri, nga organizata ‘Community Building Mitrovica’, ka përmendur disa shkelje që janë bërë nga Komuna e Mitrovicës në këtë tender, për të cilat ka thënë se nuk janë evidentuar as nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP).

Sipas tij, këto shkelje kanë bërë që një operator ekonomik të eliminohet nga gara dhe t’i pamundësohet ankesa, ndërsa Komuna e Mitrovicës ka shpërblyer me kontratë operatorin e vetëm që ishte në garë.

“Konstatimi i grupit të OJQ-ve është se në këtë tender kemi pasur disa shkelje që janë bërë nga Komuna e Mitrovicës dhe të cilat nuk janë evidentuar as nga Organi Shqyrtues i Prokurimit. Këto shkelje kanë bërë që një operator ekonomik të eliminohet nga gara dhe t’i pamundësohet ankesa, ndërkohë që Komuna e Mitrovicës e ka shpërblyer me kontratë operatorin e vetëm që ishte në garë…Shkeljet që janë bërë në këtë tender janë, afati më i shkurtër për dorëzim të ofertave, korrigjimet e vonuara në dosjen e tenderit, për të cilat Ligji kërkon që i gjithë tenderi të anulohet, pamundësimi i ankimimit, pranimi i ofertave në gjuhë që nuk janë zyrtare në Kosovë, si dhe vendimi i OSHPS-së që nuk ishte i bazuar në fakte. Këtë tender e ka fituar kompania ALFA&RECY Technology që kishte ofertuar 3 milionë e 395 mijë euro, kurse kompania TENIX ishte kompania që ishte ankuar”, ka thënë Beqiri.

Edhe Erzen Isufi, duke folur për shkeljet e bëra në këtë tender, ka potencuar vendosjen e afatit për dorëzim të tenderëve për të cilin ka thënë se është bërë në kundërshtim me Ligjin e prokurimit, pastaj korrigjimi i gabimeve nga ana e Komunës së Mitrovicës, pasi siç është shprehur ai, kjo është bërë në kundërshtim me rregullat dhe udhëzuesin operativ për Prokurimin Publik, si dhe shkelje tjera.

“Data e fundit për dorëzimin e tenderëve ishte përcaktuar 20 qershori 2018, ora 14:00. Vendosja e afatit për dorëzim të tenderëve është bërë në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit, i cili përcakton se për kontratat e mëdha, afati i dorëzimit të ofertave duhet të jetë minimumi 40 ditë nga data e publikimit të njoftimit për kontratë. Shkelje janë evidentuar edhe me rastin e korrigjimit të gabimeve. Komuna e Mitrovicës kishte bërë dy korrigjime të gabimeve. Korrigjimi i parë ishte publikuar më datë 18 qershor, apo vetëm dy ditë para datës së fundit për dorëzim të ofertave që ishte 20 qershori. Grupi monitorues konstaton se ky korrigjim ishte në kundërshtim me rregullat dhe udhëzuesin operativ për Prokurimin Publik. Këto rregulla thonë se njoftimi për korrigjim të gabimeve duhet të publikohet në E-Prokurim jo më pak se pesë ditë para afatit të fundit të dorëzimit të tenderëve, në të kundërtën aktiviteti i prokuri mit duhet të anulohet”, ka thënë Isufi.

Në anën tjetër, anëtarja e grupit monitorues, Gentiana Zeqiri, i ka bërë thirrje prokurorisë së shtetit që të hetojë këtë tender, për të parë nëse ka elemente të veprës penale.

“Ne i bëjmë thirrje KRPP-së, Auditorit të Përgjithshëm dhe Agjencisë kundër korrupsion, që të monitorojnë në fund projektin final për të parë nëse është realizuar në përputhje me kushtet e kontratës. Gjithashtu, i bëjmë thirrje Prokurorisë së shtetit që të hetojë këtë tender për të parë nëse ka elemente të veprës penale”, është shprehur Zeqiri.

Ndryshe, organizatat pjesëmarrëse në këtë konferencë dhe të cilat kanë përgatitur raportin, ishin Community Building Mitrovica (CBM), Mundësia, 7 Arte, Civil Development Organisation (CDO) dhe Iniciativa Qytetare nga Skenderaj.