Opozita i fajëson ministrat për dështimin e mbledhjeve të Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike

Në vitin e kaluar disa mbledhje të Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike kanë dështuar për shkak të mos prezencës të ministrave të ftuar për raportim para anëtarëve të këtij Komisioni.
Kështu vlerësuan deputetët e opozitës gjatë shqyrtimit të Raportit Vjetor të Punës të këtij Komisioni për vitin 2022.
Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, Hykmete Bajrami tha se gjithsej kanë mbajtur 27 mbledhje, por evidentoi edhe mungesën e ministrave për raportim para këtij Komisioni.
“Në Komision gjatë vitit 2022 kemi pasur gjithsej 29 raportime ministra dhe udhëheqës të institucioneve, agjencioneve të pavarura, mirëpo ka pasur raste kur mbledhjet kanë dështuar për shkak të mos prezencës së ministrit të ftuar”, tha ajo.
Por me këtë konstatim nuk u pajtua deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi i cili tha se edhe në mungesë të deputetëve kanë dështuar mbledhjet e këtij Komisioni.
“Kisha pas dëshirë që edhe në raport edhe me cek që edhe mungesa e deputetëve ka bërë që të dështojë ndonjëherë Komisioni, kemi pas raste ku në mungesë të deputetëve ka dështuar Komisioni e jo vetëm në mungesë të ministrave”, tha Thaçi.
Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa u shpreh se pikërisht për mungesën e ministrave të ftuar kanë shtyrë mbledhje të Komisionit, madje kanë pritur edhe me nga 2-3 javë.
“Ne kemi pas raste ndoshta si deputet edhe të mazhorancës edhe të opozitës që në momente të caktuara ndoshta nuk kemi pas kuorum por në raportin e punës nuk duhet përfshirë ajo çka tha zotëri Thaçi, sepse ne e kemi punën tonë. Unë nuk besoj që ka mbetur diçka për mungesë të deputetëve, ne kemi shtyrë plotë mbledhje për arsye që ministrat nuk kanë pasur mundësi teknike apo nuk kanë dashur çështje e tyre, por nuk kanë qenë prezencë në ftesat e Komisionit, kemi pas raste i kemi pritur nga dy-tri javë i kemi shtyrë mbledhjet për ministrat e caktuar”, theksoi Beqa.
Edhe Eman Rrahmani nga Lëvizja Vetëvendosje u shpreh se ministrat janë të obliguar që të raportojnë para Komisioneve Parlamentare.
“Mos-pjesëmarrja e ministrit dhe deputetit është komplet e ndryshme, ministri e ka obligim me ardhur me raportua para deputetëve ne e ftojmë ministrit dhe secili prej neve ka angazhime të tjera dhe ka edhe Komisione tjera dhe mundet me vullnetin e tij me marr ose mos me marr pjesë varësisht prej çështjes që i intereson ajo çka është obligative është që ministri e ka obligim edhe me rregulloren e Kuvendit me ardhur me prezantua sa herë që ne i ftojmë“, u shpreh Rrahmani.
Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, Hykmete Bajrami u shpreh se ka pas raste derisa ministrat është dashur të raportojnë në këtë Komisioni nuk kanë qenë prezent, por kanë mbajtur konferenca për medie.
“Kemi pas rastin kur ministrin e Financave kur na kemi qenë në mbledhje ka dalë lajmi që ministri atje ka dalë në konferencë për medie në Tiranë, ndërkohë që ka pas jo e kemi lajmëruar stafin nuk ka pasur asnjë evidencë, por puna është që ne që jemi anëtarë të këtij Komisioni më së miri e dimë se në fund të fundit ky raport nuk është që ka me i shërbye dikujt. Ne të gjithë e dimë edhe sa kemi secili për vete sa ka qenë i rregullt, por gjithashtu e dimë edhe për mungesën e raportimit”, u shpreh ajo.
E pas këtij debati u votua raporti vjetori i punës për vitin 2022, si dhe planit të Punës së Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike për vitin 2023.
Në këtë Komision po ashtu u shqyrtuan edhe rekomandimet e dala nga shqyrtimi i raporteve të auditimit për MASHTI-në.

Back to top button