E quajnë antikushtetues

E quajnë antikushtetues

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të ndalojë qarkullimin e njerëzve dhe automjeteve. Kundër këtij vendimi të Qeverisë Kurti kanë dalë partitë opozitare, të cilat përmes reagimeve e kanë quajtur antikushtetues.

Partia më e madhe opozitare, PDK e ka quajtur vendimin e Qeverisë një akt i paligjshëm sepse shkel në mënyrë flagrante Kushtetutën.

“Liria e lëvizjes dhe liritë tjera që preken nga masat e fundit të marra prej Qeverisë, janë të shenjta e të garantuara nga Kushtetuta dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njerëzve që ka miratuar Kosova”, thuhet në reagim.

Sipas PDK-së, kjo qeveri ka tejkaluar kompetencat e saja, përderisa ende nuk është aprovuar në Kuvendin e Kosovës shpallja e Gjendjes së Jashtëzakonshme.

PDK konsideron se Qeveria e Kosovës është treguar e vonuar, e mangët dhe neglizhente sa i përket masave të marra për t’u përballur me pandeminë dhe ka propozuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, si hapin e duhur për t’u përballur siç duhet me kërcënimin e pandemisë.

“PDK kurrsesi nuk do të lejojë që kryeministri në largim, Kurti, të shfrytëzojë situatën për të shkelur shtetin e së drejtës, për t’i dhënë vetes kompetenca që nuk i takojnë duke shkelur Kushtetutën, andaj i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të tërheqë këtë vendim antikushtetues dhe të mbështesë vendosjen sa më shpejt të gjendjes së jashtëzakonshme që do të mundësojë që masat anti-pandemi të ndërmerren në mënyrën ligjore”, thuhet në komunikatë.

Kundër vendimit të Qeverisë doli edhe AAK-ja. I pari i kësaj partie, Ramush Haradinaj vlerësoi se është shkelje e rëndë e Kushtetutës.

Edhe lideri i Nismës, Fatmir Limaj e quan antikushtetues vendimin e Qeverisë. Ai u shpreh se në asnjë rast dhe në asnjë ligj qeveria nuk ka të drejtë të marrë masa apo të shpallë masa që i ka përshkruar në vendim.

Ndalimi i qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve pritet të ndahet në dy kohë të ndryshme. Nga ora 10:00 e mëngjesit deri në ora 16:00 pasdite dhe prej orës 20:00 në mbrëmje deri në ora 06:00 në mëngjes./21Media