Opozita me kritika për Projektligjin për KPK-në, do të dërgohet në Kushtetuese

Partitë opozitare po konsiderojnë se pushteti nuk ka adresuar rekomandimet e Komisionit të Venecias për Projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Në Komisionin për Legjislacion u tha se kjo nismë legjislative do të përfundojë sërish në Gjykatë Kushtetuese dhe se partia në pushtet nuk e ka seriozisht reformën në drejtësi. Gjatë shqyrtimit të raporteve të komisioneve kryesore për këtë projektligj, deputetët e opozitës theksuan se po cenohet pavarësia e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Komisioni për Legjislacion ka miratuar raportet e komisioneve kryesore për Projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka paralajmëruar që këtë projektligj do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese, meqë theksoi se nuk janë marrë parasysh rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Selmani shtoi se mos marrja parasysh e rekomandimeve ka pasoja politike për vendin.

Për këtë ka reaguar kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi, i cili tha se në grupin punues janë trajtuar rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Me këtë nismë legjislative, Rrustemi theksoi se qeveria po bën përpjekje që të zhbëjë karakterin koorporativist që e ka Këshilli Prokurorial i Kosovës. Megjithatë, deputeti Selmanaj tha se pushteti nuk po synon reformë të mirëfilltë të drejtësisë.

Edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa tha se ky projektligj nuk e kalon filtrin e Gjykatës Kushtetuese, meqë konsideroi se ka dhjetëra shkelje.

E deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se me përbërjen aktuale të Këshillit Prokurorial të Kosovës, po cenohet pavarësia institucionale.

Anëtarët e Komisionit për Legjislacion kanë miratuar edhe raportin për projektligjin për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës.

Back to top button