"Varësisht prej rrethanave në teren do të merren edhe vendimet"

“Varësisht prej rrethanave në teren do të merren edhe vendimet”

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi pas takimit që pati me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe disa kryetarë të Komunave, deklaroi se një numër i rekomandimeve të dala nga këshilli i kryetarëve janë mirëpritur nga ministri Vitia.

Ibrahimi në një intervistë për Kp, u shpreh i bindur se të gjitha rekomandimet e këtij këshilli, shumë shpejt do të dalin si udhëzime për implementim te komunat e Kosovës.

Ai këtë takim e cilësoi si të frytshëm dhe në favor të luftimit të Pandemisë COVID-19.

“Dje kemi pasur takimin e këshillit të kryetarëve ku nga ai takim kanë dalur disa rekomandime dhe ato rekomandime i kanë prekur pak kompetencat e ministrit Arben Vitia. Isht e një takim shumë i frytshëm, po thuajse të gjitha rekomandimet që kanë dalur nga këshilli i kryetarëve janë marrë parasysh, i diskutuam. Ishte një frymë shumë pozitive dhe besoj që të gjitha rekomandimet që u diskutuan edhe sot do të merren parasysh dhe do të dalin si udhëzime për implementim te komunat e Kosovës”, deklaroi Ibrahimi.

Sa i përket kufizimit të lëvizjes së qytetarëve, ai tha se tash e tutje, ky vendim do të merret në dakordim me kryetarët e Komunave, pra varësish prej gjendjes.

Në këtë takim me ministrin Vitia është vendosur që orari i kufizimit të lëvizjes së qytetarëve do të mbetet ashtu siç ka kërkuar AKK-ja, do të jetë i njëjtë për të gjitha komunat nga ora 17.00-06.00, përveç komunës së Malishevës dhe Mitrovicës Veriore.

“U dakorduam që kufizimi i lëvizjes të jetë i dakorduar me të gjitha komunat e Republikës së Kosovës dhe kryetarët që ishin prezentë këtu, u dakorduan me pozitën edhe të ministrit po edhe karshi situatës dhe vendimet sa i përket kufizimit të lëvizjes do të dalin gjatë këtyre dy ditëve, kryetarët e komunave ishin të kënaqur me konkluzat që dolën nga takimi”, theksoi Ibrahimi.

Kur jemi te shtimi i masave mbrojtëse, ai tha se kjo do të bëhet varësisht prej situatës dhe rrethanave në teren, derisa shpreson se gjatë këtyre ditëve pritet që rekomandimet e tyre, të përkthehen në vendime.

“As prej kryetarëve as prej komunave, varësisht prej rrethanave në teren do të merren edhe vendimet. Çka është jashtëzakonisht të theksohet pozitive, është që rekomandimet e kryetarëve të komunave u morën parasysh nga ministri dhe shpresojmë që gjatë këtyre dy ditëve para të hënës do të përkthehen edhe në vendime, në mënyrë që qytetarët e republikës së Kosovës të dinë rezultatet e këtij takimi dhe pritshmëritë të cilat i presin për kufizimin e lëvizjes”, u shpreh Ibrahimi.

Orari i kufizimit mund të ndryshojë varësisht prej ndryshimit të situatës nëpër komuna.

Po ashtu ,u vendos që komunat mund të karantinohen varësisht nga situata dhe zhvillimet në të ardhmen.

Në varësi të kërkesave të kryetarëve është vendosur që bujqit do të mund t’i punojnë arat, por do të pajisen me leje të veçanta që të mund të punojnë edhe jashtë.

Vendimi i qeverisë për kufizimin e lëvizjes dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19, do të mbesin në fuqi deri me 13 prill.