”Orari i papërshtashëm” një klasë në “Dardani” bojkoton mësimin
Prindërit e nxënësve të një klase në shkollën fillore “Dardania” në Prishtinë, kanë vendosur të mos i dërgojnë fëmijët në shkollë nga e hëna për arsye të orarit.
Sipas tyre orari aktual është i papërshtatshëm.
”Ky orar është tejet i papërshtatshëm për fëmijët tanë të vegjël, pasi çrregullon tërësisht dinamikën e tyre ditore. Shumë prej nesh, si prindër që punojnë, i dërgojmë fëmijët në qendrim ditor nga ora 07:30 e mëngjesit, dhe ky orar i ri do të thotë se ne mund t’i marrim fëmijët vetëm rreth orës 19:00 pasdite. Është shkencërisht e vërtetuar se orare të tilla nuk janë efektive për fëmijët, pasi çrregullojnë procesin e mësimnxënies. Për më tepër, Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Neni 50, Pika 4, thekson qartë se “Të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me fëmijët, të ndërmarra qoftë nga institucionet e pushtetit publik, qoftë nga institucionet private, do të jenë në interesin më të mirë të fëmijëve.” Ne besojmë fuqishëm se ky orar për nxënës të moshës 7-8 vjeç nuk e merr parasysh interesin më të mirë të fëmijëve tanë. Ndërsa një orar i tillë mund të jetë i pranueshëm në situata të jashtëzakonshme, Kosova dhe sistemi ynë arsimor nuk po kalojnë nëpër ndonjë periudhë të tillë”, thuhet në reagimin e prindërve.
Një ditë më parë, kjo shkollë fillore në një njoftim në Facebook publikoi orarin e ri teksa njoftoi se është rinovuar aneksi dhe nxënësit do të zhvillojnë mësimin vetëm në ambientet e kësaj shkolle. Deri tash, një pjesë e nxënësve mbante mësimin në shkollën “Xhemail Mustafa”.
Gjithashtu bëhet e ditur se së shpejti në të do të nisë renovimi i plotë i shkollës.