Projektligji për financimin e subjekteve politike në Kosovë dhe rekomandimet e Komisionit të Venedikut ishin sot temë diskutimi në një takim virtual të organizuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë në partneritet me Zyrën e BE-së. Aty u tha se Qeveria e Kosovës ka marrë parasysh komentet e komisionit dhe ka plotësuar projektligjin që edhe është votuar në Qeverinë e Kosovës, në gusht të këtij viti, ndërsa është në procedura të shqyrtimit parlamentar.

Udhëheqësi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog ka thënë se partitë parlamentare duhet të kërkojnë nga shoqëria civile të sigurojnë që ky ligj është në përputhje me mendimin ligjor të Komisionit të Venecias.

“Është e zakonshme që paratë në politikë të veprojnë prapa dyerve të mbyllura dhe të përfshijnë praktika të fshehta, shuma e saktë e deklaruar e origjinës së donacioneve për partitë politike ose kandidatët shpeshherë nuk dihet. Kjo krijon një sistem të hapur për abuzim. Rezultati është që paratë jepen në këmbim të ndikimit, po ashtu nëse shpenzimet e partive politike, posaçërisht, gjatë fushatave janë të fshehura, kjo i privon votuesit nga mundësia për të ditur se ku po shpenzohen paratë e fushatës dhe për çfarë qëllimi, kjo mund të ketë pasoja të rënda për shembull në kontekstin e shpenzimeve dhe mbulimit pozitiv në media, kryesisht publikimi i këtyre llogarive parashikohet në projektligj, diçka që Komisioni i Venecias sipas mendimit të tij e mirëpret fuqimisht”, ka deklaruar ai.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka ka shtuar se zgjerimi i amendamenteve do të lehtësojë punën e KQZ-së dhe do të eliminojë paqartësitë ekzistuaese në zbatim.

“KQZ ka studiuar amendamentet e propozuara dhe të miratuara nga qeveria e Kosovës dhe në parim i mbështet këto amendamente dhe në veçanti dy sfidat kryesore të hasura deri ëm tani rreth publikimit të deklaratave financiare dhe auditimit të tyre, pritet të tejkalohet me amandamentet aktuale. Ndarja e obligimit të publikimit të deklaratave financiare nga auditimi krijon obligime të qarta për partitë politike që të publikojnë deklaratat financiare pavarësisht nga auditimi, po ashtu avancimi i dispozitave rreth pavarësisë dhe kualifikimit të auditorëve pritet të sjellë rezultate pozitive”, ka potencuar ajo.

Drejtori i zyrës ligjore pranë Zyrës së Kryeministrit, Mentor Borovci është shprehur se pas pranimit të opinionit nga Komisioni i Venedikut, janë siguruar që këto rekomandime të përfshihen në tekstin e projektligjit, i cili është miratuar nga Qeveria në gusht të këtij viti, ndërsa është në procedura të shqyrtimit parlamentar.

Borovci ka shtuare se ndryshimet e propozuara në projektligj do të obligojnë subjektet politike të publikojnë raportet financiare dhe të japin informata lidhur me donacionet gjatë fushatave zgjedhore.

“Qëllimi i amendamenteve ndaj kornizës rregullatore të Kosovës mbi financimin e subjekteve politike është të sigurohet transparencë më e madhe e financimit dhe shpenzimeve, të themelohet një sistem efektiv i auditimit si dhe të përmirësohet llogaridhënia përmes publikimit të raporteve financiare të entiteteve politike. Në fundament, ky projektligj ka për qëllim të themelojë një sistem të auditimit të raporteve financiare përmes së cilit do të angazhoheshin autditorët e licencuar përmes një procesi transparent përzgjedhës”, ka thënë ai.

E përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Kosovë, Maria Suokko ka theksuar se ligji për financimin e partive politike duhet të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare të përshkruara në opinionin e Komisionit të Venecias.

“Duhet të kujtojmë se më shumë se 4 milion euro të fondeve publike iu shpërndahen subjekteve politike në vit, përveç kësaj merren edhe donacione private, veçanërisht tani pasi bizneset dhe individët po vuajnë nga vështirësi ekonomike si rezultat i pandemisë Covid-19 dhe është edhe më e rëndësishme që paratë të shpërndahen të shpenzohen me kujdes. Partitë politike jo vetëm që duhet të jenë të detyruara ligjërisht, por edhe të ndjejnë përgjegjësi morale për të mbështetur funksionimin e kontrollit financiar dhe mekanizmave të monitorimit të publikuara në pasqyrat e tyre financiare dhe të bashkëpunojnë plotësisht me Auditorët dhe autoritetet gjyqësore”, ka thënë ajo.

Ndërsa, kryetari i komisionit parlamentar për Buxhet dhe Transfere, Hekuran Murati ka folur për rëndësinë e ligjit për financimin e partive politike.

“Komisioni për Buxhet dhe Transfere e ka mjaftë të rëndësishme për të siguruar një transparencë të plotë dhe një realizim të plotë të demokracisë pa asnjë ndërhyrje, pa ndonjë ndërhyrje të errët. Ne gjithashtu duhet të kemi këtë ligj të rëndësishëm, i cili siç ka thënë komisioni i Venecias ka disa ndryshime të mira. Ne kemi nevojë për të marrë një qasje gjithëpërfshirëse sepse duhet të shohim gjithashtu sistemin gjyqësor në prokurori veçanërisht, dhe nuk ka shumë raste kur kemi parë veprime zyrtare kur bëhet fjalë për financimin e partive politike qoftë publikimi i raporteve të auditimit apo të deklarimet se ata kanë shpenzuar më shumë sesa kanë marrë në të vërtetë si financim. Dhe gjithashtu, ne duhet të sigurojmë një funksionim të duhur të administratës tatimore”, ka thënë ai.