Më 2 qershor të vitit 1946, në një referendum, italianët kishin votuar për ta kthyer Italinë nga një Monarki në Republikë. Pas referendumit, Mbreti italian Umberto II kishte ikur në mërgim.

Më 2 dhe 3 qershor 1946 do të mbahej referendumi institucional i shpallur për votim të përgjithshëm, me të cilin italianët thirreshin në kutitë e votimit për t’u shprehur mbi formën e qeverisjes që donin t’i jepnin vendit pas rënies së fashizmit, monarki apo republikë.

Pas 85 vjetësh mbretëri, me 12.718.641 vota pro dhe 10.718.502 kundër, Italia u bë Republikë dhe monarkët e shtëpisë së Savojës emigruan.

Më 2 qershor festohet lindja e kombit, në mënyrë të ngjashme më 14 korrikun francez (përvjetori i marrjes së Bastiljes) dhe më 4 korrikun e Shteteve të Bashkuara (ditë në të cilën më 1776 ishte nënshkruar deklarata e pavarësisë).

Është një moment shumë i rëndësishëm edhe për faktin se në botë jetojnë rreth 60 milionë pasardhës të italianëve të emigruar dhe 4 milionë e 500 mijë me pasaportë italiane që jetojnë jashtë vendit.

Ambasadori italian në Kosovë, Nicola Orlando, njoftoi një ditë më parë, se të gjitha aktivitetet për shënimin e kësaj ditë janë anuluar për nder të viktimave nga koronavirusi. Megjithatë, ai ka njoftuar përmes Twitter-it se më 2 qershor në emisionin “Prite të gjelbrën” në RTV21 do të ketë shumë befasi.

“Ne mund të shijojmë të sigurtë muzikën italiane & historinë e saj në emisionin “Prite të gjelbrën” në RTV21 nesër prej orës 11:00 deri në ora 13:00”, ka shkruar ndër të tjerash Orlando në llogarinë e tij “Twitter”./21Media